Ditën e xhuma, më 10 korrik 2020, nga minberi i xhamisë së Ajasmës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, falënderoi kontributin e madh të muezinit dhe kujdestarit besnik të kësaj xhamie, të nderuarit z. Latif Ura.
Myftiu tha se brezi i ri ka nevojë të shohë në përkushtimin e “Gjyshit” të dashtun, siç e thërrasin të gjithë plakun e urtë e të përkushtuar të kësaj xhamie, modelin e sakrifikuesve për xhaminë dhe fenë!
Ai tha se ky model njerëzish janë bekim nga All-llahu i Madhëruar për të gjithë komunitetin, qytetin dhe përtej tij, prandaj duhet të gëzojnë përherë respekt dhe mirënjohje nga të gjithë!
Myftiu falënderoi në mënyrë të veçantë angazhimin këmbëngulës të kujdestarit të xhamisë së Ajasmës, z. Latif Ura për vakëfin, për xhaminë dhe ecurinë e saj.
Plaku i urtë 95 vjeçar, që me shumë pasion dhe përkushtim i shërben xhamisë së lagjes Ajasëm, si muezin dhe kujdestar, që në momentet e para të rrethimit të vakëfit, ndërtimit të xhamisë dhe përkujdesjes së vazhdueshme për të dhe gjallërimin e saj!
Me këtë rast, i dorëzoi atij një “Certifikatë Mirënjohjeje”, me motivacionin: “Për kontributin e madh dhe shërbimet plot përkushtim në rrugën e ruajtjes së traditave të vyera islame në xhamitë e Shkodrës, nëpërmjet kryerjes me devotshmëri dhe korrektësi të detyrës së muezinit në xhaminë e lagjes AJASËM.”