Ditën e xhuma, më 17 korrik 2020, nga minberi i xhamisë së “Dy Vajzave”, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, foli për rëndësinë dhe simbolikën e 10 ditëve të para të muajit të Haxhit, për të cilat është betuar All-llahu në suren El-Fexhr.
Ndër të tjera, Myftiu tha se: “10 ditët e para të Muajit Dhulhixhe, janë një mundësi e re e afrimit me Zotin tonë, e përmirësimit të cilësisë së adhurimit, e pendimit dhe rregullimit të marrëdhënieve familjare, e shtimit të dhikreve dhe agjërimit!”.
Ai theksoi gjithashtu se ky është një moment reflektimi për të kuptuar se, përsa njeriu është korrekt me Zotin e tij dhe, përtej situatave në të cilat kalojmë, All-llahu është me ne, kudo që të jemi e sido që të jemi!
Ai nxiti shtimin e dhikrit dhe përmirësimin e virdeve ditore, sipas urdhëresave të shumta kur’anore, porosive të Resulull-llahut (a.s.) dhe shpjegimeve të dijetarëve tanë.
Njëkohësisht ftoi besimtarët që periudhën e këtyre ditëve të begata, duke nisur nga data 22 korrik – 30 korrik 2020, ta kalojnë në agjërim e shtim të adhurimit, bamirësisë, korrigjimit të gabimeve, sidomos në familje, farefis e shoqëri.
Poashtu theksoi se agjërimi i ditës së Arefatit për ata që nuk kanë mundësinë e Haxhit, ka shpërblimin e faljes së gabimeve dhe lëshimeve të dy viteve, sikurse na ka udhëzuar i Dërguari i All-llahut (a.s.).
Myftiu tha se, koha është që ne ta shfrytëzojmë këtë mundësi duke dëshmuar përkushtim ndaj betimit që All-llahu i Madhëruar ka bërë për këto ditë e netë në Kur’anin Famëlartë: “Pasha agimin dhe dhjetë netët!”, si dhe haditheve që na mësojnë se nuk ka ditë, në të cilat vepra e mirë të peshojë më rëndë dhe të jetë më e dashur tek All-llahu sesa në këto ditë të bekuara!