Ditën e martë, më 28 korrik 2020, teologu Arben Halluni bashkëbisedoi me Myftiun e Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, mbi vlerat dhe kuptimet e Haxhit dhe Kurban Bajramit, në prag të ditëve të begata të Haxhit dhe Bajramit të sivjetshëm.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, Myftiu theksoi se të gjithë jemi të ftuar të kuptojmë mesazhet e thella të adhurimit të Haxhit, që qëndron mbi nxitjen e forcimit të marrëdhënieve në mesin e muslimanëve, forcimin e shfaqjes së ymetit në të gjitha sferat e jetës, si: në politikë, në ekonomi, në industri, në ushtri, në siguri, në kulturë dhe në çdo sferë të jetës, ku njeriu ështl ftuar të jetë mëkëmbës i Zotit, me dinjitet e krenari.
Myftiu theksoi se lajmi i privimit të mbarë botës islame nga Haxhi i sivjetshëm, u kompensua disi me lajmin historik të rikthimit në funksion të xhamisë së madhe të Aja Sofisë, lajm që gëzoi pa masë muslimanët e mbarë botës, të cilët vërshuan drejt Stambollit për të marrë pjesë në atë ceremoni model të organizimit të faljes së xhumasë së parë, pas disa dekadash, kur amaneti i të bekuarit Sulltan Mehmet Fatih, ishte nëpërkëmbur dhe tjetërsuar.
Gjatë bashkëbisedimit, Myftiu foli edhe për simbolikën e kurbanit, që, sikurse tha, është nxitje e secilit për të pasur në vëmendje edukimin e fëmijëve dhe familjes, për t’u lartësuar në pozitat e larta të familjes së Hazreti Ibrahimit (a.s.), shembullin e të cilës, All-llahu i Madhëruar e përjetësoi në Kur’an dhe i Dërguari (a.s.) na mësoi që të lutemi për ta në çdo namaz.
Bashkëbisedimin e plotë, mund ta ndiqni ditën e enjte, më 30 korrik 2020, ora: 21.00, në Tv1 Chanel, si dhe ritransmetimin, ditën e xhuma, më 31 korrik 2020, në orën: 15.30.