Ditën e xhuma, më 31 korrik 2020, sipas lajmërimit zyrtar të Myftinisë Shkodër, besimtarët muslimanë shkodranë mbushën xhamitë dhe oborret e tyre, për të marrë pjesë në ceremoninë tradicionale të Kurban Bajramit.
Në xhaminë e Fushë Çelës, (xhamia “Ebu Bekër”), ishte i pranishëm edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili iu drejtua të pranishëmve me një mesazh të posaçëm të kësaj dite.
Myftiu tha se dita e sotme është momenti i reflektimit në madhështinë e thirrjes: “All-llahu ekber”, si dhe dëshmimit të saj në jetën e përditshme, si çelës i suksesit, sigurisë dhe krenarisë në komunitet!
Ai tha se dita e Kurban Bajramit është dita e familjes dhe e përkujdesjes për edukimin e rinisë dhe brezit të ri, duke ecur pas gjurmëve të Ehli-Bejtit, familjes së bekuar të Hz. Ibrahimit (a.s.), që janë simboli i kësaj dite dhe historie të shënuar të përjetësuar deri në ditën e fundit.
Myftiu bëri thirrje që shoqëria të shohë realitetin e zhvillimeve të jetës në vendin tonë, duke refuzuar padrejtësitë, korrupsionin, mashtrimin dhe taborrat e atyre, që prej dekadash po e shkatërrojnë vendin, duke e vështirësuar jetën e rinisë në këtë tokë të begatë!
Ndërkohë, në hytben e kësaj dite, imami i xhamisë, teologu Idmir Plaku, hodhi dritë mbi vlerën dhe simbolikat e ditës së Kurban Bajramit, sikurse porositi që njerëzit të shfrytëzojnë adhurimin e kurbanit, si mënyrë afrimi me All-llahun e Madhëruar dhe mundësi e përhapjes së shpirtit të bamirësisë në shoqëri.