Gjatë këtyre ditëve kam jetuar me modelin e asaj familjeje të bekuar të cilën All-llahu (xh.sh.) e bëri shembull në Kur’anin Famëlartë, atë “Ehli Bejt” të madhnueshëm të cilët All-llahu i Madhëruar i përmendi në Kur’anin Famëlartë: “All-llahu i zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit dhe familjen e Imranit mbi të gjithë njerëzit (e kohës së tyre).”, ndërsa Pejgamberi (a.s.) na edukoi dhe na mësoi që atë “Ehli Bejt” t’i përmendim 5 herë në ditë teksa lexojmë salavatet dhe lutjen “Ettehijjatu”, Ehli Bejti i Hz. Ibrahimit (a.s.)! Hz. Ibrahimi (a.s.), zonja e tij e nderuar Haxhere, dhe i biri i tyre Hz. Ismaili (a.s.).
Kam jetuar me modelin e tyre dhe, subhanallah kam vënë re se kuptimet e Kurban Bajramit nuk janë asgjë tjetër veçse një nxitje dhe një thirrje hyjnore për të pasur përherë në vëmendje edukimin e familjes dhe përkujdesjen për fëmijët dhe brezin e ri!
Kurban Bajrami është dita e familjes të dashurit e mi, është modeli i babait të përkushtuar i cili i bindet All-llahut (xh.sh.) edhe për të dërguar zemrën e tij, shpirtin e tij, dritën e syve të tij, atë djalë të bekuar, i cili i erdhi në një moshë shumë të thyer, për ta vendosur në një vend të cilin Kur’ani Famëlartë e përshkruan si “një luginë pa asnjë lloj gjelbërimi”!
Cili babë e bën këtë? Cili burrë e braktis bashkëshorten lehonë dhe fëmijën e vogël në një shkretëtirë të pabanuar, larg njerëzve, larg qytetërimit? Hz. Ibrahimi (a.s.) e bën këtë, sepse All-llahu (xh.sh.) e ka kërkuar një gjë të tillë.
(Nga dersi i Kurban Bajramit, më 31 korrik 2020, në xhaminë e Fushë Çelës)