Në ajetin e katërt të sures “Ed-Duha”, All-llahu i Madhëruar i drejtohet Resulull-llahut (a.s): “E përtejmja (ahireti, ai që vjen në jetën tjetër) është më e mirë për ty se e para (ajo që kaloi”! Pra, përtej madhërimit që të kam bërë, përtej nderimit që të kam dhënë, përtej pozitës së lartë që të kam dhënë, përtej gradëve të larta që të kam dhënë dhe nuk ia kam dhënë askujt tjetër përveç teje, o i dashtuni im, o Muhammed (a.s); dije se ajo që vjen dhe ajo që të pret në të përtejmen, është shumë më e madhe dhe shumë më e mirë sesa ajo që kaloi!
Kur Zoti i gjithësisë na solli në këtë botë, na bëri mëkëmbësit e Tij, dhe nuk i shkon mëkëmbësit të All-llahut (xh.sh) të jetë njeri përtac, apo njeri parazit, apo njeri i paformuar, apo i pazhvilluar në ekonominë dhe realitetet e tij shoqërore, apo njeri i zhytur në injorancë, nuk i shkon, përkundrazi!
Ymeti islam është i fortë në dije, në ekonomi, në pozitat shoqërore, në çdo fushë e drejtim të jetës! Mos të jesh ti si musliman, bishti i shoqërisë tënde, por me vlerat që posedon, të jesh në krye të saj! Pra, ta përdorësh besimin tënd dhe të të shërbejë për çdo gjë, për të cilën të ka sjellë Zoti yt në këtë jetë! Mua më ka ftuar drejt këtij minberi, ty të ka ftuar drejt biznesit, atë e ka ftuar drejt futbollit, atë tjetrin drejt mjekësisë, atë drejt politikës, këtë drejt tregëtisë, atë tjetrin drejt artit, atë drejt inxhinierisë..!
Secili të dëshmojë më të mirën në jetë, sepse është ymeti i Hazreti Muhammedit (a.s) dhe nuk i shkon pasuesve të Hz. Muhammedit (a.s) me qenë njerëz me kokën e ulur, a të përbuzur, a njerëz të dorës së dytë në realitetet e shoqërisë së tyre!
(Nga hytbeja e xhumasë, mbajtur nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari,
më 18 shtator 2020, në xhaminë e Parrucës)