Elhamdulilah, unë jam musliman dhe bota është më e sigurtë! Kjo është esenca dhe zanafilla!
Pas çdo namazi, ne si muslimanë lexojmë dhikret e virdeve ditore që na i mësoi Resulull-llahu (a.s), ku fjalia e parë pas istigfarit është: “All-llahumme Entes-Selamu ve minkes-Selam…”, që do të thotë: “Zoti im, Ti je burimi i Paqtimit, prej Teje buron Paqja…”!
Me pak fjalë, më e pakta, pesë herë në ditë, Islami na edukon e na frymëzon drejt paqtimit dhe rrugëve të tij, duke u lartësuar ditë pas dite drejt asaj që Krijuesi ynë kërkon prej nesh në këtë jetë!
Le të punojmë me sa të kemi mundësi për të jetuar në paqe dhe harmoni me njëri-tjetrin, duke ruajtur mbi të gjitha dinjitetin dhe krenarinë e besimit dhe të fesë, shenjtërinë e jetës dhe atë të njeriut-mëkëmbës i Zotit në tokë, dijes dhe arsimimit!
Të përpiqemi për të punuar me pastërti e dinjitet, të angazhohemi për të ruajtur e mbrojtur Tokën, nënën tonë të përbashkët, nga zjarret dashakeqe, nga shkarrimet egoiste, që shpien drejt konflikteve dhe të papriturave të padëshiruara!
Të angazhohemi me të gjitha forcat për t’u ndarë nga politikat hipokrite e servile, që prishin rendin mbi tokë, edhe duke përdorur kartën e fesë për të përçarë njerëzit mbi baza fetare, si një gangrenë e keqe, që është instaluar në mendësitë provinciale të mbështetura edhe nga rrogtarë meskinë të tyre!
Të japë secili diçka nga vetja e tij për paqen me dinjitet, duke falur mirësi e dashuri, mirëkuptim e heshtje, sidomos në familje, me fëmijët, me të rinjtë e farefisin!
Nuk mund të prodhojmë paqe sociale, nëse nuk e kultivojmë dhe e jetojmë atë në familje fillimisht, pastaj në rrethin e ngushtë familjar, e më pas në shoqëri, me shumë kujdes e plot përkushtim!
Fjala e mirë është paqe! Buzëqeshja e sinqertë është paqe! Heshtja e urtë është paqe! Mësimi dhe edukimi i udhëzuar është paqe! Ndihma në rast nevoje është paqe! Luftimi i së keqes në jetë është paqe! Kundërshtimi i keqpërdorimit të besimit është paqe! Përballja me tërë fenomenet e prishjes dhe devijimit është paqe!
Paqe me Zotin! Paqe me robin! Paqe me vetveten e me realitetet e përditshme, që gjithësesi mbeten më të dobëta sesa mundësia për të ndryshuar kaderin!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 21 shtator 2020