Ditën e enjte, më 1 tetor 2020, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në pritjen zyrtare të ngushëllimeve dhe konsideratave, organizuar nga ambasada e Shtetit të Kuvajtit në vendin tonë, me rastin e ndërrimit jetë të Emirit të Kuvajtit, Sheik Sabah Al-Ahmed Al-Xhabir As-Sabah, i cili u nda nga jeta ditën e martë, më 29 shtator 2020, në moshën 91 vjeçare.
Me këtë rast, Myftiu Sytari i shprehu ngushëllimet e tij dhe Myftinisë Shkodër ambasadorit kuvajtian, ShTZ. Fajiz Meshari Al-Xhasim, duke shprehur respektin dhe nderimin e madh për Emirin e Kuvajtit, Madhërinë e Tij, Emirin Sabah Al-Sabah, i mirënjohur botërisht për qëndrimet e tij fisnike në përkrahje të njerëzve në nevojë, për qëndrimet dinjitoze rreth çështjes së Palestinës, për thirrjet e tij të urta drejt paqtimit dhe bashkëpunimit në mesin e vendeve në konflikt dhe përtej!
Myftiu i dorëzoi ambasadorit Al-Xhasim edhe një ngushëllim zyrtar në emër të Myftinisë Shkodër, imamëve dhe besimtarëve të saj, që luten për shpirtin e Emirit të Kuvajtit, që kaloi nga kjo botë, duke lënë pas gjurmë të shumta, që e rreshtojnë emrin e tij më mesin e njerëzve të shquar të shekullit.
Në këtë shprehje ngushëllimi, Myftiu shoqërohej edhe nga drejtori i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, z. Kujtim Dervishi, sekretari i Këshillit të Myftinisë Shkodër, H. Fejzi Zaganjori, imami i xhamisë Parrucë, teologu Naim Drijaj dhe sekretari organizativ i Myftinisë Shkodër, teologu Lavdrim Hamja.