Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari gjatë hytbes së xhumasë, më 2 tetor 2020, në xhaminë e Parrucës vlerësoi lart personalitetin e lartë të Emirit të Kuvajtit, Shejkh Sabah Al-Ahmed Al-Xhabir Es-Sabah, i cili ndërroi jetë në moshën 91 vjeçare, të martën, më 29 shtator 2020.
Myftiu, edhe në emër të institucionit të Myftinisë dhe të gjithë myslimanëve të Shkodrës shprehu ngushëllimin zyrtar si dhe ftoj të gjithë besimtarët e pranishëm dhe më tej të luten për shpirtin e Emirit të Kuvajtit, i cili u nda nga kjo jetë duke lënë gjurmë të mëdha në humanizëm dhe solidaritetit me të gjitha vendet e botës pa dallim besimi, race, kombi dhe gjuhe.
Myftiu tha se: Emiri i Kuvajtit u nda me faqe të bardhë nga kjo botë e ngarkuar me fitne dhe sprova nga më të ndryshmet. Një njeri, i cili meritoi nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) para pak vitesh vlerësimin e madh “Udhëheqësi i Humanizimit”.
Gjurmët e humanizmit, sipas Imam Muhamed Sytarit, janë të pranishme edhe në vendin tonë, tash 30 vite investime pa kushte, në shumë fusha (ekonomike, sociale, kulturore) etj.
Edhe Shkodra ka pasur nderin dhe fatin e mirë që bamirësia dhe humanizimi i Shtetit të Kuvajtit nën udhëheqjen e Emirit të tij, të shtrihet përmes ndërtimit të shumë xhamive dhe qendrave kulturore, ndihmave për mijëra jetimë dhe familje në nevojë si dhe shumë investime sociale, të cilat duhet përherë të kenë nga ana e jonë mirënjohjen dhe falënderimin ndaj udhëheqjes së Kuvajtit dhe popullit të tij vëlla dhe mik të përhershëm.
Pas faljes së namazit të xhumasë, nën drejtimin e Myftiut të Shkodrës u fal xhenazja në mungesë si dhe u bënë lutje për shpirtin e Shejkh Sabah Al-Ahmed Al-Xhabir Es-Sabah.