Ditën e shtunë, më 3 tetor 2020, pas namazit të jacisë, në xhaminë e Zuesit, Myftinia Shkodër vijoi me ciklin e ligjëratave: “Xhamia na mbledh, drita e All-llahut na udhëzon”, ku ligjëroi Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari.
Në ligjëratën e kësaj mbrëmje, Myftiu u ndal tek haku i Kur’anit në jetën e muslimanëve dhe tek mirësia e madhe, me të cilën Zoti i gjithësisë e ka begatuar njerëzimin, teksa ka lajmëruar se Ai është Mbrojtësi i Kur’anit, që do të thotë se njerëzimi e kanë përherë një garanci të palëkundur në rrugën e udhëzimit.
Gjatë ligjëratës së tij, ndër të tjera Myftiu tha: “Ajo çfarë dua të ndaj sot me ju, të dashurit e mi, ka të bëjë me Kur’anin Famëlartë, këtë Libër, të cilin e kemi para duarve dhe, të cilin përpiqemi ta lexojmë e ta kuptojmë. Se, nuk do të them se e lexojmë dhe e kuptojmë, se po ta lexojmë e ta kuptojmë siç duhet Kur’anin, do të ishim shumë më mirë se ç’jemi në të vërtetë!
Në të vërtetë ne përpiqemi ta lexojmë e ta kuptojmë Kur’anin dhe, kjo është gjë shumë e mirë!
Ajo mirësi me të cilën na ka begatuar All-llahu i Madhëruar, duke na veçuar prej krejt ymeteve të tjera është se, ky Libër është i njëjti, siç është kënduar e lexuar në kohën e Hazreti Pejgamberit tonë (a.s)! Nuk duhet të ketë asnjë lloj dyshimi, asnjëri prej nesh, në këtë mrekulli hyjnore, që përshkruhet shumë qartë në ajetin kur’anor: “Ne e kemi shpallur Përkujtuesin (Kur’anin) dhe Ne jemi mbrojtësit e tij!”.
Vetë Zoti i gjithësisë e ka quajtur këtë Kur’an, Përkujtues, sepse në Kur’an përkujtohemi për të bërë më të mirën në jetë dhe për t’u distancuar nga çdo gjë e dëmshme dhe e pavlerë për jetën tonë!
All-llahu i Madhëruar e ka bërë këtë Kur’an gjithpërfshirës! Brenda këtij Kur’ani lexojmë edhe thelbin dhe esencën e Inxhilit. Lexojmë edhe thelbin dhe esencën e Teuratit. Lexojmë edhe thelbin dhe esencën e Zeburit!
Është një fatmirësi shumë e madhe që e kemi këtë Kur’an në mesin tonë, të cilit duhet t’i përkushtohemi maksimalisht, në mënyrë që ta shtrojmë jetën tonë sipas udhëzimit të tij! Atë, çfarë All-llahu i Madhëruar na e kërkon ta bëjmë, ta bëjmë, pa pasur asnjë ndrojtje, mëdyshje a hezitim në të!
A ke dyshim në përzgjedhjen e Zotit tënd për ty?! Poashtu, atë çfarë e ka ndaluar në këtë Libër, me u përpjekë për t’u larguar dhe distancuar prej tij maksimalisht!
Ne duam ta lexojmë Kur’anin, ta kuptojmë atë dhe ta jetojmë jetën me vlerat e Kur’anit!”.
Ligjërata e plotë: