Pasditën e së mërkurës, më 7 tetor 2020, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune me një grup imamësh të qytetit dhe të fshatit, në prag të Muajit Rebiulevvel 1442.
Në krye të herës, Myftiu shprehu falënderimet e tij për imamët e Myftinisë Shkodër, për krejt angazhimin e tyre dhe shërbimet në një periudhë tepër të çuditshme dhe të vështirë, si kjo që po kalojmë.
Më tej ai dha udhëzimet e tij në prag të Muajit Rebiulevvel 1442, duke vënë theksin tek detyrimet që kanë imamët dhe thirrësit islamë në hak të Resulullahut (a.s), sidomos në këtë kohë të ngarkuar nga propaganda dashakeqe kundër Islamit dhe muslimanëve.
Njëkohësisht u diskutua edhe për shumë tema që lidhen me shërbimet e xhamisë dhe angazhimet e imamëve në rrugëtimet e tyre në krye të xhemateve dhe interesave të Thirrjes Islame.
Myftiu ftoi imamët e nderuar drejt korrigjimit të asaj që është prishur nga gjurmët e traditave dhe tabanit dhe shfrytëzimin e kohës për të ecur përpara me besim, dinjitet e kurajo.