“Muhammedi është i dërguar i All-llahut” dhe meseleja është e mbyllur!

📜 Në Kur’anin Famëlartë urdhëron: ‘Muhammedi është i dërguar i All-llahut’ dhe thotë: ‘Dhe mjafton All-llahu si Dëshmitar!’, për dërgesën tënde (o Muhammed)!. Si për të na thënë neve sot, (që përpëlitemi në realitete të çuditshme dhe shumë paradoksale, kur bahet fjalë për fenë): o muslimanë, qëndroni në besën e pejgamberit tuaj (a.s), sepse propagandat e atyre që ia kanë shitur shpirtin dikujt tjetër, Zotit të botëve; janë propaganda boshe dhe një kotësi e madhe, me të cilën, shpehherë, nuk ia vlen as të merresh fare!

📌 Siç ishin propaganda boshe dhe një kotësi e madhe ajo çfarë dëgjuan brezat e mëpërparshëm nga flamurtarët e shirkut dhe të islamofobisë! Dhe, siç është propagandë boshe dhe kotësi e madhe ajo çfarë do të dëgjojnë fëmijët tanë, nipërit tanë e ata që do të vijnë brez pas brezi, se kështu është historia!

✅ ‘Muhammedi është i dërguar i All-llahut’, thotë All-llahu i Madhëruar në Kuranin Famëlartë dhe meseleja është e mbyllur!

📁 Në takimin e para pak ditëve, që pata me imamët e nderuar të myftinisë sonë, udhëzova që duke nisur nga kjo e xhuma, në të gjitha xhamitë tona të nisim një cikël të ri ligjëratash kushtuar dërgesës së Hz. Muhammedit (a.s) mëshirë për të gjitha krijesat. Edhe si një shenjë mirënjohjeje, respekti dhe përuljeje ndaj Zotit të gjithësisë, që na bëri pjesë të këtij ymeti të madh!

🌙 Kjo fé, të dashurit e mi, do të vazhdojë e kjo dritë do të përhapet dhe, ju jeni dëshmitarët më të mëdhenj të kësaj që them! Shikoni xhamitë sot! Jo në Shqipëri, në tokën e Islamit, por në mbarë botën! Edhe në ato vende ku, në mënyrë të përçudnuar ka propaganda të vazhdueshme kundër Islamit dhe muslimanëve! Islami përhapet në mënyrë të natyrshme, me vullnetin e lirë të njerëzve, edhe në mesin e rinisë, sepse kjo është feja e All-llahut! Dhe këtë Dritë, Ai e përhap në mesin e njerëzve, më shumë se rrezet e këtij dielli që na ngroh sot, dhe që do të ngrohë njerëzimin, deri në ditën e fundit!

(Nga hytbeja e xhumasë, mbajtur nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari,
më 16 tetor 2020, në xhaminë e Parrucës)