Prej 6 javësh, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, vijon të ligjërojë nga minberi i xhamisë së Parrucës mbi madhështinë dhe pozitën e lartë të Hz. Muhammedit (a.s).
Ky cikël i ri i hytbeve të Myftiut nisi si reagim ndaj ripublikimit të ashtuquajturave karikatura, që prekin emrin e lartë të Hz. Muhammedit (a.s) në një revistë franceze dhe mbrojtjen e këtij veprimi racist dhe primitiv nga presidenti francez.
Në krye të herës, Myftiu theksoi se nxitja e urrejtjes ndaj Islamit dhe muslimanëve është shenjë e dekadencës morale dhe shpirtërore dhe se promovimi i kësaj fryme mesjetare, që prek shenjtëritë e feve dhe Islamit në veçanti, përkthen më së miri urrejtjen e rrënjosur në shpirtrat e humbur dhe nxitësit e së keqes në botë.
Myftiu tha se personaliteti i Hz. Muhammedit (a.s) është vijë e kuqe dhe se askush nuk duhet toleruar, kur bëhet fjalë për më të madhin e njerëzimit, për të cilin flasin librat e shenjtë dhe të cilin e kanë vlerësuar intelektualët dhe kokat më të mëdha të botës.
Me këtë rast, Myftiu nisi edhe tefsirin e sures Ed-Duha, ku gjatë këtyre gjashtë javëve, hodhi dritë mbi detaje të mrekullueshme, rreth madhërimit që Zoti i gjithësisë i ka bërë të Dërguarit të Tij, Hz. Muhammedit (a.s).
Njëkohësisht, në mbledhjen e datës 7 tetor 2020, me imamë të qytetit dhe fshatit, udhëzoi që hytbet e xhumasë në të gjitha xhamitë e Shkodrës, duke nisur nga data 16 tetor 2020 dhe në harkun e krejt muajit Rebiulevel 1442, do të fokusohen tek tema: “Çfarë përfitoi bota me ardhjen e Hz. Muhammedit (a.s)”.