Paraditën e së xhumasë, më 23 tetor 2020, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një vizitë pune, Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu.
Gjatë takimit u diskutua rreth aktivitetit të Myftinisë Shkodër në prag të 30 vjetorit të përkujtimit të datës jubilare të rihapjes së xhamisë së parë në Shqipëri, në ditët e para të nëntorit 1990, që kulmoi me ceremoninë madhështore të 16 nëntorit 1990.
Myftiu theksoi se viti 2020 ishte i ngarkuar me vështirësi të mëdha, që ende vazhdojnë, që përkufizuan planin e përgatitur nga Myftinia Shkodër në fillim të këtij viti kalendarik dhe të miratuar më parë nga Këshilli i Myftinisë.
Më tej u diskutua për disa nga problematikat e brendshme, që lidhen me aktivitetin e xhamisë, shërbimet e imamëve, ruajtjen e traditave dhe mbi të gjitha, angazhimin e madh për ruajtjen e frymës së harmonisë dhe vëllazërisë islame.
Me rastin e kësaj vizite në Shkodër, Kryetari i KMSh-së mbajti edhe hytben e xhumasë në xhaminë e Parrucës.