Myftiu i Shkodrës mori pjesë në konferencën ndërkombëtare online të Indisë

Ditën e xhuma, më 13 nëntor 2020, me ftesë të Kryemyftiut të Indisë, H.T. Shejkh Ebu Bekr Ahmed, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare online, që u zhvillua nga Universiteti ‘Jamia Markazu Saquafathi Sunniyya Al Islamiyya’.

Në këtë konferencë, ku morën pjesë dijetarë dhe mendimtarë të shquar të botës islame nga lindja e perëndimi, Myftiu i Shkodrës u prezantua me punimin e titulluar: ‘Si të jetojmë krenarë me Islamin tonë!’.

Ndër të tjera, Myftiu theksoi se realitetet e sotme botërore po na ftojnë përherë e më tepër drejt bindjes së palëkundur se ky Islam dhe udhëzimi i Hz. Muhamedit (a.s), janë një alternativë e pashmangshme për tejkalimin e krizës së qytetërimeve materiale, që jetojnë sot në kllapinë e degradimit dhe paaftësisë për të drejtuar njerëzimin drejt vlerave të pretenduara.

Myftiu solli shembuj të shumtë të përpjekjes së Resulullahut (a.s) për të ndërtuar njeriun e vlerave, paqes e krenarisë, që u dëshmua më së miri në sahabët e nderuar.

Ai tha se sot, krejt ne jemi të ftuar të jetojmë me ‘Allahu ekber’ për të përhapur nëpërmjet dritës së kësaj dëshmie hyjnore vlerat dhe madhështinë e Islamit, larg tendencave islamofobe që vitet e fundit janë përpjekur për ta shëmtuar këtë shprehje të mrekullueshme të krenarisë e dinjitetit islam.