Ditën e mërkurë, më 13 korrik 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune me një grup imamësh të qytetit.
Fillimisht, Myftiu falënderoi përkushtimin e imamëve dhe uroi mbarësi të vazhdueshme në shërbimet e tyre.
Në qendër të vëmendjes së këtij takimi ishte hytbeja e xhumasë, si mënyrë elitare komunikimi i përjavshëm në mesin e muslimanëve. Me këtë rast, Myftiu kërkoi nga imamët që të përmirësohet cilësia e hytbes së xhumasë, duke u fokusuar në disa pika, që lidhen me kohën e saj, tematikat e larmishme, shfrytëzimin e temave që lidhen me besimin dhe forcimin e tij etj.
Myftiu lajmëroi imamët e nderuar edhe me iniciativën e re të Myftinisë Shkodër për qarkullimin e disa imamëve në xhamitë kryesore të Shkodrës, për hytben e xhumasë.
Imamët dhanë me dimet dhe sugjerimet e tyre dhe, shprehën gatishmërinë dhe vullnetin e mirë për mbarëvajtjen e kësaj iniciative me dobi për xhematet e Shkodrës.
Njëkohësisht u diskutua edhe për unifikimin e kohës së thirrjes së ezanit të sabahut dhe kohës së faljes së farzit në të gjitha xhamitë, ku u shpërnda edhe kalendari i posaçëm për namazin e sabahut.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe H. Edmir Smajlaj, Myfti i Malësisë së Madhe, i cili uroi mbarësi dhe suksese të mëtejshme për imamët dhe Myftininë e Shkodrës.