Paraditën e së martës, me 12 korrik 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt shkrimtarin dhe përkthyesin Zija Vukaj.
Para pak ditësh, z. Vukaj ka nxjerrë nga shtypi përkthimin e tij më të ri nga gjuha italiane, librin me titull: “Rrënjët islamike të Evropës”, i autorit Massimo Jevolella.
Gjatë takimit, Myftiu e uroi z. Vukaj për kontributin e tij të çmuar në përkthimin e këtij libri, ku theksoi se gjurmët e muslimanëve në Evropë janë objekt i përhershëm studimi, sidomos për ata që kërkojnë të vërtetat e historisë së lavdishme të misionaëve muslimanë në Evropë dhe gjurmët qytetëruese të mësimeve islame në pastrimin e Evropës nga errësirat e mesjetës.
Nga ana e tij, përkthyesi Zija Vukaj theksoi se ndjehet i lumtur për këtë kontribut intelektual, që mbi të gjitha është rezultat i një pune konkrete të një islamisti të njohur italian, që me kurajo dhe argumente shkencore ka thënë disa të vërteta historike mbi lidhjen e Iskamit me Evropën. Ai theksoi se autori i librit, Massimo Jevolella i është kushtuar prej tre dekadash studimit të fesë islame, Kur’anit dhe mistikës.