Ditën e shtunë, më 6 shkurt 2021, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim miqësor me Arqipeshkvin e Zonës Shkodër-Pult, mons. Angjelo Massafra.
Nga profili i tij në facebook, Myftiu shkruan: “Pata kënaqësinë të konsumoj kafenë e mëngjesit sot, në zyrën time, bashkë me Arqipeshkvin e Zonës Shkodër-Pult, mons. Angjelo Massafra, me të cilin ndamë mendime dhe ide të dobishme rreth bashkëpunimit në mesin e komuniteteve fetare, si një shtyllë e rëndësishme e identitetit fetar e kombëtar.
Pranova me kënaqësi Letrën Enciklike të Papa Françeskut, mbi vëllazërinë dhe miqësinë shoqërore, sikurse kujtuam kontributet e mëdha të dijetarëve të shquar, si: Shejkh Ahmed Keftaro, Shejkh Ahmed Et-Tajjib (Shejkhul-Ezher), por edhe të hoxhallarëve dhe priftërinjve të nderuar shkodranë e shqiptarë, që ishin dhe mbetën flamurtarë të përhapjes së frymës së harmonisë dhe mirëkuptimit në mesin e besimeve dhe pasuesve të tyre.
Ishim në një mendje për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, që promovojnë frymën e harmonisë fetare e vëllazërisë njerëzore në mesin e besimtarëve.”