Paraditën e së martës, më 2 mars 2021, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune me imamët e zonës Guri i Zi.
Takimi, që vjen në kuadër të Tre Muajve të Mirë, ka për qëllim edhe diskutimin e problematikave të ndryshme që kanë komunitetet muslimane të zonave tona, si dhe trajtimin e tyre për të arritur në zgjidhjen e shqetësimeve.
Në fjalën e tij, Myftiu kërkoi nga imamët që të shfrytëzohet kjo periudhë për afrimin e besimtarëve me xhaminë dhe moralin islam, si dhe nxitjen e solidaritetit dhe harmonisë në mesin e tyre.
Myftiu dëgjoi shqetësimet dhe mendimet e imamëve të xhamive: Shtoj i Ri, Vukatanë, Guci e Re, Bardhaj, Ganjollë, etj., të cilët ngritën edhe problemin e pazgjidhur me mbifaturimet e energjisë elektrike, me të cilin përballen xhamitë tona, nevojën e ndërhyrjes për meremetimin e disa xhamive dhe shtimin e tyre me objekte shtesë, që lehtësojnë aktivitetin, si: qendra kulturore, kënde sportive, kënde lojrash për fëmijët, çerdhe dhe kopshte, etj.
Pas takimit me imamët e zonës, Myftiu, i shoqëruar edhe nga një grup imamësh, fali namazin e mesditës në xhaminë e Ganjollës.