Myftiu takoi imamët e zonës Postribë

Paraditën e së hënës, më 1 mars 2021, në kuadër të bashkëbisedimeve me imamët, në kuadër të Tre Muajve të Mirë 1442, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune me imamët e zonës Postribë.

Gjatë takimit, u diskutua mbi problematikat e shumta që ka zona, komuniteti i besimtarëve, aktivitetet bamirëse, zhvillimi i jetës fetare dhe ruajtja e traditave shekullore.

Myftiu foli edhe mbi rëndësinë që ka shfrytëzimi i ditës së xhuma për përcjelljen e mesazheve të urta, larg ligjërimeve pa dobi, larg realiteteve të jetuara dhe nevojave të komunitetit.

Myftiu dëgjoi me vëmendje edhe sugjerimet dhe shqetësimet e imamëve të kësaj zone, ku të gjithë ishin të mendimit se Postriba ishte dhe mbeti e persekutuar dhe larg vëmendjes së institucioneve, si në komunizëm, ashtu edhe në këto 30 vite që pasuan periudhën më të errët të historisë sonë kombëtare.

U vu theksi tek mungesa e investimeve, varfëria që detyron banorët e Postribës të largohen nga vendlindja, e shumë problematika që shqetësojnë besimtarët e kësaj zone të begatë.

U diskutuan mendimet dhe shqetësimet e imamëve të xhamive: Omaraj, Dragoç, Boks, kala e Drishtit dhe Drisht, Fshati i Ri, etj.