Nga 12 janar 2021, nëpërmjet rrjeteve sociale, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, lajmëroi nisjen e ciklit të ri të ligjëratave me titull: “Në gjurmët e të parëve tanë”, çdo të martë, të mërkurë e të enjte, në orën 20.00, drejtpërsëdrejti nga profili zyrtar i Myftiut në fb.
Nga ajo ditë e deri mbrëmjen e së enjtes, më 18 mars 2021, janë zhvilluar 30 ligjërata, nëpërmjet të cilave, Myftiu ka zbardhur gjurmë me vlerë nga trashëgimia e hoxhallarëve: H. Ismail Zoganjori, H. Sheuqet Boriçi, H. Esat Myftija, H. Jusuf Këlmendi dhe H. Ymer Bakalli.
Në këtë cikël, Myftiu i Shkodrës është angazhuar të sjellë para besimtarëve, studiuesve dhe të interesuarve gjurmë konkrete nga shkrimet, studimet, botimet dhe dorëshkrimet e hoxhallarëve tanë, prej ku del në dritë një tjetër dimension i veprës dhe kontributit të madh e të shquar të hoxhallarëve të nderuar të Shkodrës.
Nëpërmjet shpalosjes së fakteve të reja dhe shënimeve me vlerë, del në pah përkushtimi i hoxhallarëve shkodranë në disa fusha dhe lëmi të diturive islame, shfrytëzimi i mundësive të kohës për mësimin dhe edukimin e shoqërisë nëpërmjet minberit të xhumasë, shkrimit në revistat e kohës, botimet shqip me alfabet arab, dorëshkrimet në gjuhën arabe, etj.
Spikat hytbeja e H. Sheuqet Boriçit për vlerën e punës dhe ndalimin e kamatës, vargjet plot urtësi e vlerë të H. Jusuf Këlmendit, studimi i thellë dhe plot argumente i H. Ymer Bakallit, etj.
Me mbarësinë e Allahut, cikli në fjalë do të vazhdojë me gjurmë të reja që pritet të shfaqen për ne, shumë prej të cilave për herë të parë.
Mëshira e Allahut qoftë mbi të gjitha ata burra të urtë e vizionarë, që punuan për të mirën e fesë, shoqërisë, kombit e mbarë ymetit islam!