Paraditën e të shtunës, më 20 mars 2021, Myftinia Shkodër me mbështetjen e shoqatës “Istanbul” organizoi shpërndarjen e radhës të 120 pakove me ushqime për fshatrat Shirq-Mushan të Njësisë Administrative Dajç si dhe rreth 80 pako për fshatin Luarz të Njësisë Administrative Velipojë, të prekur nga përmbytjet e fundit në zonën e Nën-Shkodrës.
Përfaqësuesi i Myftinisë Shkodër, teologu Arben Halluni gjatë një përshëndetjeje para banorëve të këtyre dy zonave tha se këto ndihma për familjet e prekura nga përmbytje e fundit, kanë për qëllim të lehtësojnë sadopak situatën e tyre të vështirë përballë kësaj sprovë, si dhe për të shprehur frymën e solidaritetit në çdo situatë pa dallim besimi, krahine dhe prejardhjeje.
Teologu Halluni falënderoi shoqatën e mirënjohur “Istanbul”, kryetarin e saj, që ishte i pranishëm në këtë veprimtari humanitare, z. Ridvan Seferaj, që iu përgjigjën thirrjes së Myftinisë Shkodër për të ndihmuar disa zona të prekura nga përmbytjet në këtë situatë të vështirë pandemie.
Kujtojmë, se Myftinia Shkodër gjatë përmbytjeve të fundit në Shkodër dhe pas saj ka organizuar shpërndarje ndihmash të ndryshme në bashkëpunim me partnerët e saja në fshatrat: Rrushkull, Belaj, Samrish, Goricë, Muriqan, Oblikë, Velinaj, Alimetaj, Shirq-Mushan dhe Velipojë.