
Myftiu i Shkodrës inspekton punimet te xhamia e Plumbit në prag të përurimit
Ditën e mërkurë, më 9 prill 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari inspektoi punimet e fundit, që po bëhen në xhaminë e Plumbit në prag të përurimit të saj.
Së bashku me stafin e zyrës së vakëfit dhe administratorin, Myftiu ndoqi nga afër punimet e fazës së fundit në xhaminë e Plumbit në prag të dorëzimit të saj.
Në shoqëri të përgjegjësit të ndërtimit, z. Ismet Kadioğlu, Myftiu falënderoi kontributin e madh të qeverisë turke dhe presidentit Rexhep Tajip Erdoğan për këtë dhuratë të çmuar për muslimanët shqiptarë dhe Myftininë Shkodër në veçanti.
Myftiu Sytari theksoi se, projekti madhor i xhamisë së Plumbit i tejkalon kufijtë e Shkodrës dhe të Shqipërisë, ai tashmë është pjesë e hartës të begatë së objekteve islame të trashëgimisë shekullore në rrafsh botëror.
Kujtojmë se xhamia e Plumbit u ndërtua në vitit 1773 nga Mehmet Pashë Bushati dhe ka një simbolikë të veçantë për muslimanët shqiptarë.
Falë bashkëpunimit të qeverisë shqiptare dhe qeverisë turke, punimet për restaurimin e plotë dhe transformimin e vakëfit të xhamisë së Plumbit nisën në muajin shtator të vitit 2022 dhe tashmë pritet, që shumë shpejt të zhvillohet ceremonia e përurimit të shumëpritur të xhamisë së Plumbit.