
Myftiu i Shkodrës uron Arqipeshkvin e ri Shkodër – Pult
Ditën e enjte, më 10 prill 2025, Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një vizitë kortezie në Arqipeshkvinë e Shkodrës për të uruar Mons. Giovanni Peragine, me rastin e emërimit në drejtimin e Kishës Katolike Shkodër – Pult.
Gjatë takimit Myftiu vuri theksin te rëndësia që ka përhapja e mesazheve të urta të harmonisë, vëllazërisë, bashkëpunimit dhe shërbimit me devocion për besimtarët, si dhe ruajtja e ekuilibrave të bashkëjetesës në mesin tonë.
Me rastin e kësaj vizite, Myftiu i dorëzoi Arqipeshkvit të ri Shkodër – Pult, Mons. Giovanni Peragine edhe një mesazh urimi, ku ndër të tjera thekson se: “Sot, më shumë se kurrë, jemi dëshmitarë të nevojës së madhe që ka njeriu për t’u kthyer nga dyert e Zotit për të gjetur qetësinë shpirtërore dhe për të shpëtuar nga humnerat ku është katandisur raca njerëzore nëpërmjet thirrjeve që e duan njeriun larg Zotit dhe armik me vëllain e tij njeri”.
Nga ana e tij, Arqipeshkvi i ri e falënderoi Myftiun e Shkodrës për këtë vizitë përhajrimi dhe theksoi se, është në dëshirën e tij, që këto takime dhe bashkëpunime ndërfetare të jenë të vazhdueshme për të përcjellur përherë e më shumë frymën e harmonisë në mesin e njerëzve, për të jetuar në paqe dhe bashkëjetesë që reflekton më së miri vlerat e besimit dhe diversitetit në shoqërinë shqiptare.