Ditën e shtunë, më 23 korrik 2016, në një atmosferë festive, u zhvillua ceremonia e përurimit të xhamisë së re të fshatit Kullaj, në Njësinë Administrative Postribë.
Besimtarë të shumtë morën pjesë në këtë ceremoni, të cilën e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Drejtori për Evropën i Fondaciont “Mercy International”, Kuvajt, z. Khalid El-Mula, Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, Drejtori i Fondacionit “Mirësia”, z. Korab Kaja, Kryetari i Shoqatës “Ardhmëria”, z. Tahir Zeneli, Drejtori i Shoqatës “Mirënjohja”, z. Samet Shehu, Administratori i Njësisë Administrative, Postribë, z. Altin Shabaj dhe shumë imamë, teologë dhe besimtarë të zonës.
Xhamia e re në Kullaj, vjen si pjesë e bashkëpunimit të frytshëm të Myftinisë Shkodër dhe Fondacionit “Mirësia”, që u bë ndërmjetës për sigurimin e fondit nga Fondacioni “Mercy International”, Kuvajt, për realizimin e këtij projekti madhështor për Postribën dhe Shkodrën.
Në përshëndetjet e kësaj ceremonie u dhanë mesazhe të qarta besimi, harmonie në mesin e muslimanëve, qëndrueshmërie në besim dhe lidhje të fortë me xhaminë dhe mësimet e saj.
Pas fjalëve përshëndetëse dhe lutjeve për mbarësinë e aktivitetit islam të kësaj xhamie dhe besimtarëve të saj, u pre shiriti i përurimit dhe u krye falja e namazit të mesditës me xhemat, nën drejtimin e Myftiut të Shkodrës.