Ditën e enjte, më 21 korrik 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një bashkëbisedim të këndshëm me një grup frekuentuesish të kursit veror të xhamisë në Mes-Myselim, që shoqëroheshin nga imami, Ilir Dizdari.
Gjatë takimit të përzemërt, Myftiu i dritësoi vizitorët e rinj me zonën e Tabakut, Xhaminë e Plumbit dhe simbolikën e saj, rrënojat e xhamisë së Qafës, asaj të Tabakut etj.
Ai tha se Xhamia e Plumbit peshon më shumë se një faltore e zakonshme, pasi ajo mbetet kibla e muslimanëve të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, edhe për shkak të lëvizjeve historike të fillim nëntorit 1990, kur nisën përpjekjet dhe sakificat për rimëkëmbjen islame në vendin tonë.
Më pas, vizitorët u njohën edhe me detaje interesante nga rrënojat e xhamisë së Qafës, sikurse lexuan së bashku një “Fatiha” për shpirtrat e besimtarëve të shkuar të kësaj zone.
I pranishëm në këtë takim frymëzues, ishte edhe kujdestari dhe imami aktual i Xhamisë së Plumbit, H. Mithat Myftija.