Paraditën e së martës, më 22 qershor 2021, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, vizitoi në Tiranë Këshilltarin për Çështjet Fetare në Ambasadën e Republikës së Turqisë në vendin tonë, z. Bekir Yanılmaz.
Gjatë këtij takimi të përzemërt, Myftiu falënderoi kontributin e Këshilltarit Bekir Yanılmaz për ruajtjen e frymës së bashkëpunimit dhe vëllazërisë, për të cilën, Myftiu theksoi se është e një rëndësie të veçantë për vendin tonë dhe marrëdhëniet shekullore, historike dhe strategjike që ne kemi me Republikën e Turqisë.
Myftiu shprehu mirënjohjen e tij, të besimtarëve dhe të Myftinisë Shkodër për shërbimin plot përkushtim të dy hafizëve të nderuar nga Turqia, që falë bashkëpunimit me zyrën e Këshilltarit Yanılmaz, ishin pjesë e aktiviteteve të Ramazanit të sivjetshëm në Shkodër, duke shërbyer në xhami të ndryshme pranë besimtarëve të qytetit të Shkodrës.
Nga ana e tij, z. Bekir Yanılmaz falënderoi Myftiun Sytari për vizitën dhe frymën e bashkëpunimit, sikurse shprehu gatishmërinë e tij dhe të institicionit që përfaqëson për të vijuar në bashkëpunime të mëtejshme në shërbim të besimtarëve.
Gjatë këtij takimi u diskutua për rritjen e frymës së bashkëpunimit, sidomos në fushën e botimeve dhe aktiviteteve me vlerë të përbashkët.