Të mërkurën, më 23 qershor 2021, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari me bashkëpunëtorë, ishte për vizitë në familjen Asllani në Tetovë, ku shprehu ngushëllimet e tij për humbjen e Hoxhës dhe Muhafizit të shquar të trojeve shqiptare, Mulla Mahmud ef. Asllani.
Myftiu theksoi se largimi nga kjo jetë e dijetarëve dhe eulijave, prej atyre që i shërbyen tërë jetën çështjeve madhore të fesë dhe edukimit të brezit të ri, shkakton dhimbje dhe na ngarkon me përgjegjësi të mëdha, që pasojnë boshllëkun që ata lënë.
Myftiu Sytari tha se Mulla Mahmud ef. Asllani ishte dhe mbeti një yll ndriçues, që na bën të ndjehemi krenarë për veprën dhe përkushtimin e tij, sikurse dëshmoi me përkushtimin e tij ndaj Kuranit Famëlartë shkrirjen në shërbimet e sinqerta për mësimin dhe transmetimin e Fjalës së Allahut tek brezat që vijnë.
Gjatë kësaj vizite, Myftiu u takua edhe me Myftiun e Tetovës, të nderuarin prof. Qani ef. Nesimi, me të cilin zhvilloi një bashkëbisedim të ngrohtë e vëllazëror.