Paraditen e të martës, më 3 gusht 2021, besimtarë të shumtë, qytetarë shkodranë, intelektualë të qytetit dhe drejtues të Medresesë dhe të Myftinisë Shkodër, morën pjesë në ceremoninë e xhenazes para përcjelljes së prof. Ahmet Osman Osja, i cili ndërroi jetë ditën e hënë, më 2 gusht 2021 në moshën 78-të vjeçare.
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, gjatë fjalës së tij vlerësoi lart figurën dhe kontributin e çmuar të Ahmet Osjes, në aspekt të dijes, urtësisë, thjeshtësisë dhe mençurisë, si mësues, edukator, koleg dhe intelektual që punoi dhe dha kontributet e tij për dijen, qytetarinë dhe në mënyrë të veçantë për Medresenë “Haxhi Sheh Shamia”.
Myftiu nënvizoi se i nderuari Ahmet Osja, si një ndër themeluesit kryesorë të Medresesë së Shkodrës dhe drejtor i parë i saj, do të mbetet në memorien e gjithsecilit dhe do të kujtohet vazhdimisht në mexhlise, në biseda dhe takime për tiparet e një njeriu të mirë, plotë vlera dhe shembuj konkret që ka dhënë në shërbim të besimit, arsimit, vendit në përgjithësi etj.
Më pas, dy fjalë të fundit dha edhe drejtori aktual i medresesë së Shkodrës, z. Kujtim Dervishi, i cili në mes të tjerave tha se ka pasur fatin e mirë të bashkëpunojë me të nderuarin prof. Ahmet Osja, që sipas tij, do të mbetet përherë në kujtim të gjithë brezave të medresesë për rolin e tij të madh në themelimin e kësaj vatre të madhe të dijes dhe kulturës në vitet më të vështira të rimëkëmbjes pas vitit 1990.
Në fund u fal xhenazeja e drejtuar nga Myftiu i Shkodrës si dhe u bënë lutje për shpirtin e tij që Allahu ta mëshirojë dhe ta bëjë nga banorët e xhenetit.