Seminar trajnues me imamët e Shkodrës
Pasditën e të hënës, më 2 gusht 2021, në sallën e re të ligjëratave, Myftinia Shkodër organizoi seminarin e radhës me një grup të imamëve dhe thirrësve islamë të zonës Shkodër, me tematikë: “Detyrat e thirrësit në misionin e tij”.
Fillimisht, përshëndetën Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari dhe Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, të cilët i uruan pjesëmarrjen në këtë seminar, mysafirit të nderuar, pedagogut të shkencave të Kuranit, Dr. Murhaf Sakka nga Siria, i cili prej disa ditëve po viziton qytetin tonë, me ftesë të Myftinisë Shkodër.
Dr. Sakka gjatë ligjëratës së tij, pasi çmoi lart qytetin e Shkodrës për mikpritjen, bujarinë, për vlerat e besimit dhe harmonisë në mes njëri-tjetrit, dha disa këshilla dhe mesazhe të çmueshme për imamët, të cilët sipas tij gjatë thirrjes islame duhet të kenë parasysh disa detyra; të jenë shembull besimi, adhurimi dhe morali në shoqëri, model i profetëve, shembuj frymëzues të bashkimit në mes njerëzve, ruajtës të traditave dhe zakoneve të mira që janë vlerë e shtuar e besimit si dhe të thërrasin njerëzit në besim të vërtetë e të drejtë në mënyrën më të mirë dhe të urtë.
Në fund të këtij takimi, Myftiu i Shkodrës i dhuroi mysafirit nga Shami Sherif, shallin me flamurin tonë kombëtar, si kujtim i kësaj vizite të shtrenjtë në Shkodër.