Me ftesë të Myftinisë Shkodër, për disa ditë qëndroi për vizitë në qytetin tonë, studiuesi islam sirian, Dr. Murhaf Sekka, i specializuar në shkencat e Kuranit, pedagog universitar dhe autor i disa veprave vëllimore rreth mrekullive shkencore në Kuranin Famëlartë.
Gjatë vizitës së tij në Shkodër, i nderuari Dr. Sekka, ligjëroi në xhaminë “Ebu Bekër” dhe në xhaminë e Parrucës, sikurse zhvilloi një seminar me vlerë me imamë e teologë të Myftinisë së Zonës Shkodër.
Në mesazhet e ligjëratave të tij, Dr. Murhaf Sekka u përqendrua tek pozita e dijes në Islam, tek domosdoshmëria e shfrytëzimit të kohës për të zhvilluar personalitetin e muslimanit ndërtues, sikurse vuri theksin tek rëndësia e pajisjes me moral të bukur, që mbi të gjitha duhet të jetë mënyra më e mirë e identifikimit të muslimanit në jetë.
Studiuesi islam nga Siria, vizitoi edhe Myftininë Shkodër, ku u prit nga Myftiu i saj, Imam Muhamed B. Sytari, sikurse zhvilloi disa vizita në xhami të ndryshme të Shkodrës, ku në veçanti shfaqi emocionet dhe kënaqësinë e faljes në xhaminë e Plumbit, në xhaminë e Tophanës, në xhaminë e Parrucës, në xhaminë e “Dy Vajzave”, në xhaminë “Ebu Bekër”, etj.
Ndërkohë, të xhumanë, më 6 gusht 2021, në ligjëratën e mbajtur në xhaminë “Ebu Bekër”, në Fushë-Çelë, zotëria e tij hodhi dritë mbi vlerën e madhe që ka salavati, si një adhurim që na mban të lidhur me pejgamberin tonë dhe mesazhet jetike që na sjell fjala dhe shembulli i tij, paqja e Allahut qoftë mbi të!