Para drekën e të enjtes, më 9 shtator 2021, u zhvillu një takim pune me myezinët e xhamive të qytetit, me qëllim përmirësimin e punës së tyre fisnike si dhe rritjen e përkushtimit të tyre për një gjallërim të mëtejshëm, të veprimtarisë islame në xhami.
Përfaqësuesi i Myftinisë Shkodër, teologu Arben Halluni gjatë fjalës së tij nënvizoi rëndësinë dhe rolin e madh që ka myezini në çdo xhami, i cili ka një pozicion me vlerë në thirrjen islame dhe lartësimin e fjalës së Zotit dhe të Pejgamberit (a.s) gjatë këndimit të ezanit në pesë vakte të ditës.
Teologu Halluni, duke e cilësuar ezanin më shumë si davet (thirrje) se sa një traditë u rikujtoi atyre disa nga udhëzimet e rëndësishme dhe rregulloren e xhamisë që kanë të bëjnë sidomos për këndimin e ezanit në formën më të mirë dhe të pëlqyeshme nga besimtarët dhe komuniteti.
Gjithashtu, ai u u ndal edhe te respektimi i orarit zyrtar të këndimit të ezanit për çdo kohë të namazit dhe kërkoi që myezini në bashkëpunim me imamin dhe këshillin e xhamisë të mirëmbajnë jetën fetare në xhami.