Dr. Salahudin Keftaro: “Misioni ynë është mëshira dhe hapja me tjetrin!”

Paraditën e së mërkurës, më 13 tetor 2021, në kuadër të aktiviteteve në përkujtim të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s.), Myftinia Shkodër organizoi një trajnim me imamët e saj, ku i ftuar i veçantë ishte mendimtari i shquar islam sirian, Dr. Salahudin Keftaro.

Në fjalën e tij para të pranishëmve, Dr. Keftaro u ndal te rëndësia e rileximit të fesë dhe teksteve të saj, me qëllim pastrimin nga pluhuri i keqleximit dhe keqinterpretimit, si dhe përhapjen e dritës së teksteve tona në mesin tonë dhe para botës mbarë.

Dr. Keftaro theksoi se bashkëpunimi në mesin e muslimanëve, është kushti i parë i rimëkëmbjes, duke bërë çmos distancimin nga emërtimet dhe cilësimet përçarëse, sepse thirrja e Kur’anit është që të jetojmë e të punojmë si vëllezër.

Ai theksoi se ne si muslimanë nuk e kthejmë të keqen me të keqe, jo nga dobësia, porse misioni ynë në jetë është mëshira dhe hapja me tjetrin deri në kufijtë e lutjes!

Në fjalën e tij, Dr. Salahudin Keftaro theksoi se Islami është çështje e triumfuese, porse ka nevpjë për përkrahës të aftë dhe thirrës largpamës e të urtë!

Njëkohësisht bëri thirrje që të punojmë me sinqeritet në rrugën e realizimit të hartës kur’anore, që nxit drejt mësimit të Librit, urtësisë dhe edukimit.

Aktiviteti u përshëndet edhe nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, që vlerësoi mikun e shtrenjtë për vizitën dhe praninë në mesin e imamëve të Shkodrës, sikurse bëri një përmbledhje të fjalës së Dr. Salahudin Keftaro, duke u lutur për mbarësi e suksese për imamët që shërbejnë me përkushtim e urtësi në rrugën e Thirrjes Islame.

Aktiviteti u përshëndet edhe nga z. Kujtim Dervishi, drejtor i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, si dhe u bënë pyetje me dobi për pjesëmarrësit.