Ditën e shtunë, më 30 tetor 2021, në xhaminë e fshatit Trush u zhvillua ceremonia tradicionale e Mevludit Sherifë, në kuadër të aktiviteteve të larmishme në përkujtim të Lindjes së Begatë të Resulullahut (a.s) dhe mesazhit me të cilin u dërgua si mëshirë për mbarë botët.
Aktiviteti nisi me leximin e një pjese kuranore nga H. Ervis Molla, imam i xhamisë Barbullush.
Më pas, ligjëroi Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, i cili u përqendrua tek domosdoshmëria e njohjes së Resulullahut (a.s) dhe angazhimi për ta ndërtuar jetën mbi bazat e mesazheve dhe traditave të tij, me qëllim rregullimin e marrëdhënieve në mesin e njerëzve, sidomos në familje.
Myftiu tha se familja e sotme shqiptare ka probleme në rritje, që kërkon më shumë angazhim për t’u kthyer nga tabani ynë fetar e ai kombëtar, për ta ruajtur familjen dhe për të mos pranuar modele që na vijnë nga jashtë besimit e fesë dhe traditave tona shekullore.
Ai dha disa shembuj nga shembulli dhe karakteri i Hz. Muhamedit (a.s), duke ftuar besimtarët të ecin në këtë shembull me të gjitha mundësitë e forcën e tyre.
Aktiviteti vijoi me këndimin e disa pjesëve nga “Mevludi” i H. Ali Riza Ulqinakut, nga imamët e nderuar Astrit Nikaj, që nderoi me pjesëmarrjen e tij nga Ana e Malit (Mali i Zi), Bujar Hoxhani (imam i xhamisë Kosmaç), H. Ervis Molla dhe i nderuar Elsamet Tula.
Në fund, imami i xhamisë Trush, H. Jetmir Braqi, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe theksoi se ky tubim tradicional është dëshmi e përkushtimit dhe dashnisë për të dërguarin e Allahut dhe fenë e Tij.
Nën drejtimin e Myftiut u krye edhe falja e namazit të mesditës me xhemat dhe pas lutjes, të pranishmit këmbyen urimet e tyre për këtë gëzim të madh.