Ditën e shtunë, më 6 nëntor 2021, në xhaminë e fshatit Zues u zhvillua aktiviteti i Mevludit Sherifë, që vjen në kuadër të aktiviteteve të larmishme që organizon Myftinia Shkodër në përkujtim të Lindjes së Begatë të Resulullahut (a.s), Muhammedit, paqja dhe mëshira e Zoti qoftë mbi të.
Pas hapjes së këtij aktiviteti me lexim nga Kurani Famëlartë, i ngarkuari për mbarëvajtjen e xhamisë, imami Ridvan Luzaku bëri prezantimin e programit si dhe uroj besimtarët për prezencën e tyre në këtë ceremoni tradicionale.
Në vijim, teologu Arben Halluni, përfaqësuesi i Myftinisë Shkodër mbajti fjalimin e rastit, i cili gjatë bisedës së tij përcolli mjaft mesazhe të rëndësishme me këshilla të dobishme për të pranishmit, të cilëve u bëri thirrje se vetëm shëmbëlltyra e përkryer e Resulullahut (a.s) është mënyra më e mirë e të jetuarit si besimtarë të devotshëm, të paqtë dhe të mëshirshëm me të gjitha krijesat në këtë tokë të bekuar nga Zoti Fuqiplotë.
Teolgu Halluni tha që përkujtimi i i Profetit të Islamit, është përkujtimi i besimit të tij, drejtësisë së tij, humanizimit dhe harmonisë së tij, si dhe të gjitha vetive më të mira morale që Allahu e përzgjodhi sipas parametrave hyjnore dhe jo njerëzore.
Më pas, aktiviteti vijoi me këndimin e disa pjesëve nga të Mevludi, këndim ilahi si dhe recitime nga nxënësit e mejtepit fetar të kësaj xhamie, e cila ishte e mbushur me besimtarë të moshave të ndryshme.
Me faljen e namazit të mesditës dhe më shpërndarjen e disa literaturave islame përfundoi ky aktivitet i dobishëm, për të vijuar karvani i Mevludit Sherifë edhe në xhami të tjera të zonës së Shkodrës.