Paraditën e së enjtes, më 28 tetor 2021, Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një vizitë zyrtare në Policinë Vendore të Shkodrës, për të uruar drejtorin e ri të saj, z. Hamdi Fjora.
Gjatë takimit, Myftiu i uroi drejtorit Fjora mbarësi dhe suksese në shërbimet e tij, duke theksuar se bashkëpunimi i institucioneve për ruajtjen e sigurisë, paqes sociale dhe harmonisë në vendin tonë është obligim kombëtar dhe moral.
Myftiu dhe drejtori i Policisë ndanë mendime rreth fushave të bashkëpunimit, sikurse trajtuan edhe disa prej sfidave me të cilat përballet sot shoqëria shqiptare, rinia në veçanti, si dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit për të mirën e përbashkët.
Drejtori i Policisë Vendore Shkodër, e falënderoi Myftiun dhe theksoi se roli i komuniteteve fetare është i madh në edukimin e masave me frymën e harmonisë dhe bashkëjetesës, ruajtjes së traditave kombëtare dhe tabanit.
Me rastin e kësaj vizite, Myftiu i dhuroi drejtorit të ri të Policisë Shkodër disa prej botimeve të tij.