“Bejtuz-Zekat” e Kuvajtit, interesim për Shkodrën

Ditën e hënë, më 8 gusht 2016, qytetin e Shkodrës e vizitoi një delegacion i “Bejtuz-Zekat”, institucion i njohur bamirës në Shtetin e Kuvajtit, që zbaton projekte të shumta në mbarë botën.

Në krye të delegacionit ishte z. Adil El-Xheri, Drejtor i Zyrës për Veprimtarinë me Jashtë në “Bejtuz-Zekat”, që shoqërohej nga z. Korab Kaja, Drejtor i Fondacionit “Mirësia”.

Gjatë vizitës në Shkodër, z. El-Xheri, u prit edhe nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, me të cilin diskutoi rreth projekteve të mundshme për t’u realizuar në Shkodër.

Nga ana e tij, Myftiu e njohu mikun nga Kuvajti me zhvillimet e dekadave të fundit në Shkodër dhe politikat selektive në investime, me të cilat është përballur qyteti dhe zonat muslimane në veçanti. Myftiu e informoi z. El-Xheri, edhe me disa prej projekteve me rëndësi, që Myftinia Shkodër është e interesuar të realizojë dhe për të cilat lobon prej kohësh.

Nga ana e tij, z. El-Xheri premtoi se do të angazhohet maksimalisht që “Bejtuz-Zekat” të investojë në drejtim të realizimit të projekteve të ndryshme në Shkodër e Shqipëri, si pjesë e partneritetit në rritje.

Më herët, ai vizitoi edhe xhaminë e re, që po ndërtohet në Krye-Bushat, si investim bamirës nga Shteti i Kuvajtit, me ndërmjetësinë dhe angazhimin e lavdëruar të Fondacionit “Mirësia”.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe H. Edmir Smajlaj, Myfti i Malësisë së Madhe.