Myftiu priti Imamin e Qendrës Islame Shqiptare “El-Buhari”, Vjenë

Ditën e martë, më 16 gusht 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt, teologun Daud (Taulant) Kurtabegu, Imam i Qendrës Islame Shqiptare "El-Buhari", në Vjenë të Austrisë.

Gjatë bashkëbisedimit të ngrohtë, Myftiu e falënderoi z. Kurtabegu për kontributin e vyer të Qendrës Islame Shqiptare "El-Buhari", sidomos për bashkëpunimin me Myftininë e Shkodrës, gjatë muajit Ramazan, në disa projekte të dobishme social-kulturore.

Nga ana e tij, teologu Daud Kurtabegu, shprehu falënderimet e tij për komunikimin vëllazëror dhe gatishmërinë e Myftinisë Shkodër për bashkëpunim, duke theksuar se urat e bashkëpunimeve janë përherë tregues të rritjes së komunikimit në mesin e muslimanëve.

Dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për botimet e ndryshme dhe nevojën e shfrytëzimit të rrethanave aktuale të zhvillimeve të reja të qytetit, për prezantimin sa më bashkëkohor të mendimit islam nëpërmjet botimeve të dobishme.

Me këtë rast, Myftiu e ftoi teologun Daud Kurtabegu, që ditën e enjte, më 18 gusht 2016, pas namazit të akshamit, të mbajë një ligjëratë, në kuadër të një tribune fetare në xhaminë e Parrucës.