Shoqata Bamirëse “VATAN”, pranë besimtarëve të Myftinisë Shkodër

Paraditën e së hënës, më 25 prill 2022, Myftinia Shkodër, në bashkëpunim me Shoqatën Bamirëse “VATAN” në Zvicër, mundësoi shpërndarjen e mbi 50 pakove ushqimore për banorët e fshatit Omaraj në Postribë.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, i cili shfrytëzoi rastin për të shprehur falënderimet dhe mirënjohjen e thellë për Sh.B. “VATAN”, në Zvicër dhe vëllezërit që e drejtojnë, nëpërmjet përkushtimit të cilëve, banorët e zonës së Omarajve në Postribë, u furnizuan me ndihma ushqimore, në prag të Natës së Kadrit.

Vlen të përmendet se banorët e Omarajve jetojnë thuajse të izoluar për shkak të mungesës së rrugës së shtruar dhe një ure lidhëse me rrugën e fshatit Ura e Shtrenjtë, për të cilat Myftinia Shkodër apelon qeverinë shqiptare dhe Bashkinë Shkodër, pasi gjendja e këtyre banorëve është jashtë çdo logjike urbane të vitit dhe shekullit në të cilin jetojmë.

Gjatë kësaj vizite në Omaraj, Myftiu vizitoi edhe xhaminë, e cila ka nevojë për disa meremetime dhe mbi të gjitha për minaren dhe një objekt shtesë në shërbim të rinisë dhe xhematit.

Myftiu falënderoi edhe angazhimin plot përkushtim të imamit të kësaj xhamie, të nderuarit, H. Fatmir Bushaj.