Mbrëmje fetare dhe kulturore në oborrin e xhamisë “Ebu Bekër”

Të xhumanë, më 27 maj 2022, pas faljes së namazit të akshamit, në oborrin e xhamisë së madhe, “Ebu Bekër”, Myftinia Shkodër përmes sektorit të arsimit organizoi një mbrëmje fetare dhe kulturore me pjesëmarrjen e nxënësve të kurseve/mejtepeve fetare të xhamive Ura e Bunës, Bardhaj dhe Mes-Myselim.

Fillimisht, drejtuesi dhe inspektori i arsimit, teologu Arben Halluni i uroi mirë se ardhjen fëmijëve dhe të rinjve të këtyre xhamive, i cili tha se Myftinia në këtë sezon veror do të organizojë herë pas here aktivitete dhe veprimtari arsimore, kulturore dhe argëtuese.

Më pas, fjalën e mori Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, cili shprehu kënaqësinë për organizmin dhe pjesëmarrjen në këtë aktivitet të veçantë, ku nënvizoi se qëllimi i këtyre mbrëmjeve fetare dhe i shfaqjes së një dokumentari  mjaft interesant: “Triumfi i ezanit të minareve” është të tregojmë krenarinë e besimit dhe historinë e fesë tonë që nuk duhet me i neglizhu dhe nuk duhet  kurrë me e harru për asnjë arsye. Pikërisht, ky dokumentar është tregues i një thesari dhe pasurie të çmuar, plot gjurmë të vyera të baballarëve dhe prijësve tanë fetarë, të cilët edhe në momentet më të vështira të jetës së tyre…, ata nuk u dorëzuan asnjëherë, por qëndruan dhe kontribuuan për të sjellë këtë liri të besimit dhe të identiteti tonë fetar dhe sigurisht dhe kombëtar që e gëzojmë dhe e përjetojmë të gjithë së bashku…

Në vijim, pjesëmarrësit ndoqën me kureshtje dhe vëmendje dokumentarin “Triumfi i ezanit të minareve”, si një mënyre reflektimi për të mësuar e kuptuar se sa rëndësi ka besimi dhe feja të njeriu, pavarësisht privimeve dhe barrikadave që  sjellin padrejtësisht sistemet brutale dhe kriminale siç ishte ajo e regjimit barbar komunist.

Aktiviteti i kësaj mbrëmje të këndshme u mbyll me një koktej, si dhe me faljen e namazit të jacisë.