Ditën e xhuma, më 10 qershor 2022 në praninë e shumë familjarëve, imamëve, teologëve, besimtarëve, miqve dhe dashamirëve nga brenda dhe jashtë Shqipërisë, pas faljes së xhenazës në xhaminë e Kirasit, u përcoll me nderim dhe ngushëllimet më të sinqerta, i nderuari Haxhi Hajrullah Jakupi, imam i xhamisë Luarëz, Njësia Administrative Velipojë.
I pranishëm në këtë xhenaze ishte edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili gjatë një fjalimi që mbajti para qindra besimtarëve tha se kontributet e H. Hajrullah Jakupit, kanë vijuar pandërprerje gjatë 32 viteve, pas rihapjes së besimit në vendin tonë, sikurse do të vijojnë si udhëzime e këshilla veprat e tij, përmes kujtesës dhe trashëgimisë familjare brez pas brezi.
Në mes të tjerave Myftiu tha: “Dëshmia e kësaj xhenazeje nuk është asgjë tjetër vetëm se një shenjë e respektit të madh që ka lënë në zemrën e gjithësecilit prej nesh, i nderuari Haxhi Hajrullah Jakupi, i cili ka qenë një burrë i nderuar dhe një imam dhe kujdestar i një xhamie shembullore si dhe pinjolli i një familjeje të nderuar, edukuar me mësimet e Kur’anit brez pas brezi, brenda familjes së tij, por edhe fëmijë të të gjitha moshave gjatë misionit të tij, si prijës fetar në xhamitë e Zotit”.
Kujtojmë, se H. Hajrullah Jakupi, Allahu e mëshiroftë, në aspektin fetar ka studiuar dy vite në Medresenë e Tiranës (1965-1967, pra deri në vitin që u mbyll feja me ligjet famëkeqe dhe kriminale komuniste), dhe pas rihapjes së fesë në vitin 1990, ka studiuar në kursin e kualifikimit të imamëve, për 6 muaj në Stamboll të Turqisë.
Ai ka shërbyer 31 vite në mënyrë të vazhdueshme si imam dhe kujdestar xhamie në Luarëz, duke qene vazhdimisht nismëtar kryesor për mirëmbajtjen e xhamisë, mbarëvajtjen e aktivitetit fetar si dhe mësimdhënien në mejtepet fetare, pikërisht nga viti 1991 deri që dorëzoi shpirtin e tij tek Krijuesi i Gjithjësisë.
Myftinia Shkodër ngushëllon gjithë besimtarët, veçanërisht familjarët e H. Hajrullah Jakupit dhe i lutet Zotit të Madhëruar ta falë e ta mëshirojë imamin e nderuar dhe ta bëjë prej banorëve të xhenetit.