Myftiu i Shkodrës ligjëroi në xhaminë shqiptare “Bashkimi”, në Nürnberg të Gjermanisë

Me ftesë të Qendrës Islame Shqiptare/AIG “Bashkimi”, në Nürnberg të Gjermanisë, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në aktivitetet me rastin e përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s).

Ditën e diel, më 2 tetor 2022, Myftiu i Shkodrës vizitoi grupin e nxënësve që mësojnë pranë xhamisë shqiptare “Bashkimi”, ku dha disa këshilla të vyera për ruajtjen e tabanit islam dhe mësimin e gjuhës shqipe. Poashtu, iu përgjigj edhe pyetjeve dhe bashkëbisedoi me nxënësit për tematika që lidhen me formimin e tyre.

Po atë ditë, Myftiu ligjëroi para xhematit të kësaj xhamie, në përbërje të cilit ka besimtarë shqiptarë me prejardhje nga të gjitha trevat tona kombëtare.

Imam Sytari foli rreth pozitave të rinisë në Islam dhe domosdoshmërisë së leximit drejtë të shembullit të sahabëve të rinj, për ndërtimin e personalitetit të fortë e të qëndrueshëm të djalit të ri dhe vajzës së re në mesin tonë, të mëkuar me moral e dije, me njerzillek e përkushtim ndaj tjetrit, kushdo qoftë.

Në krye të herës, Myftiu falënderoi imamin e xhamisë “Bashkimi” në Nürnberg, H. Sevgani Asani, për ftesën bujare, për mikpritjen dhe përkushtimin.