“Muhamed! Mbaje kryt nalt!”…

(Rishkrim i një pakti nderi me veten dhe gjithësinë)

“Muhamed! Mbaje kryt nalt!”…
(Rishkrim i një pakti nderi me veten dhe gjithësinë)

Përpara se të pranoja përgjegjësinë e shërbimit, si Myfti i Zonës Shkodër, që e ushtroj edhe sot, jam këshilluar gjatë me Hoxhën, rahmet pastë.

E kisha refuzuar një herë, për një arsye të madhe, për një çështje nderi e dinjiteti, për të cilën, mund të shkruaj në ndonjë ditar kujtimesh, nëse kam jetë dhe i është shkruar të shohë dritën e diellit!

Hoxha, rahmet pastë, më pat bindur ta pranoj përgjegjësinë dhe, për një moment, me atë timbër të mrekullueshëm e të papërsëritshëm të zanit të tij, më thoshte: “Muhamed! Mbaje kryt nalt!”

H. Vehbi Gavoçi, sot nuk jeton më, është larguar nga kjo botë duke lënë një boshllëk të pazëvendësueshëm në jetën time!

Shembulli i tij, fjala e urtë, vështrimet prindërore plot dashni e udhëzim, këshillat depërtuese në thelb të çdo çështje dhe thellë në shpirt, buzëqeshjet nuranite, letrat (si një pasuri e pavlerësuar), mbi të gjitha veprat e tij, që ishin dhe mbeten pikë referimi dhe pasaportë identiteti, pastërtia e tij, zëri i tij, qeshja e tij me zë të mekur, nuri i tij, nuk kanë perënduar me zotninë e tij në sytë e mi, ndonëse ai ka ndrruar jetë. Nuk e zë më njeri vendin e tij!

Kështu, të dashurit e mi, në “detyrë” a jashtë saj, në qëndrime zyrtare a jashtë tyre, në përplasje nën tryezë a në përballje me tabjate, botëkuptime, ambicie e sfida thuajse të përditshme; unë lutem me zemër që Allahu i Madhëruar të më japë mbarësi dhe forcë për të qëndruar në BESË! Të tjerat, as që mund të vendosen në peshore!

Kurrë s’e kam parë veten si kulm i pazëvendësueshëm; as si imam, as si vaiz, as si hatib, as si mësues në medrese (që sa shumë ka ndryshuar nga ato vite, por kjo është temë e një ditari, që ende nuk është plotësuar..!), as si ky që shërbej sot! Por, as në dije, as në përkushtim ndaj Zotit, as në përkushtim ndaj Thirrjes së Shenjtë Islame, as në shërbimet ndaj vendit tim, as në përkushtimet ndaj prindëve, familjes, fëmijëve, miqësisë e vëllezërve të Besës!

Por, për diçka jam krejt krenar dhe i qetë me veten: asnjëherë nuk kam gënjyer, as kam mashtruar, as kam prerë në besë njeri në këtë rrugëtim vlerash e krenarie legjitime! Dhe, këtu e kam cakun, besën dhe shtrëngimin e duarve me hoxhallarët e mi, edukatorët dhe tabanin!

Kam falur, edhe kur kam pasur mundësi ndëshkimi! Kam heshtur, edhe kur kam pasur mundësi përgjigjeje! Kam kthyer kokën me sytë përpara, edhe kur kam dëgjuar e lexuar broçkulla province e zigzage laramanësh. Kam qëndruar stoik përpara çdokujt, që me petkun e fesë, politikës, a çdo petk tjetër, ka luajtur pandershmërisht në marrëdhëniet me NE; ia kam ruajtur integritetin asaj që përfaqësoj, edhe përballë shumë familjarëve të padenjë, a të padenjëve për këtë familje, që nuk nis e nuk bitis, as me ata dhe as me mua, por…

Dhe, këtë vazhdoj ta bëj me shumë dinjitet e kënaqësi, sepse vite e vite më parë, kam dhënë një fjalë e kam lidhur një besë, të cilën s’e thyej për asnjeri në botë, për asnjë cytje a tundim, nga kushdo qoftë e çfarëdo qoftë!

“Muhamed! Mbaje kryt nalt!”,- ky zâ më mban dhe atij i jam përgjigjur, sa të jem në këtë botë të shkurtër!

Allahu na zgjoftë nga gjumërat e hutimit dhe na dhuroftë dije, urti e forcë karakteri për të jetuar me dinjitet e pastërti si muslimanë ndërtues në jetë!

Detyrat e përgjegjësitë shkojnë e vijnë, ndërsa ujin e fytyrës, po e humbi njeriu, edhe në flori ta lajnë, atë s’ka ujë ta lajë!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 21 maj 2021
(frymëzim i nisur, që në një ditë të zakonshme të vitit 2017)