Kullaj, Myftiu nxit përhapjen e Thirrjes Islame

Mbrëmjen e së enjtes, më 20 tetor 2016, në kuadër të iniciativës së ndërmarrë nga Myftinia Shkodër për zhvillimin e derseve pas namazit të akshamit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari u ndal në xhaminë e re të fshatit Kullaj, Postribë.

Pas faljes së namazit të akshamit me xhematë, Myftiu nisi dersin e tij, ku u përqendrua te mesazhet e përhapjes së Thirrjes Islame në jetën e përditshme.

“Ka shumë rëndësi në jetën tonë, të jemi të gatshëm ta vendosim All-llahun para krejt gjërave të botës, edhe para dëshirave tona, edhe para jetës, edhe para familjes, fëmijëve, interesave! Ky është Islami! Të thonë sot, se duhet bërë kështu e ashtu, për shkak të integrimit evropian. E duam integrimin evropian, por duam fenë tonë dhe shenjtëritë tonë mbi krejt Evropën e mbarë botën!

Ju etiketojnë sot, me lloj-lloj shpifjesh e gënjeshtrash, që vetë i kanë shpikur. Ju mos u trazoni fare! A jeni ju ashtu si ata thonë? A jemi ne muslimanët ashtu si thonë disa edhe në trojet shqiptare, për ne? Nuk jemi! Atëherë? Atëherë, të punojmë me sa të kemi mundësi e forcë, me krejt energjitë tona për përhapjen e kësaj feje të pastër e të madhnueshme në jetë!

Pyete veten: Sa njerëz janë udhëzuar në Islam falë angazhimit tënd? Sa personave ju ke folur me zemër të hapur e me buzëqeshje të sinqertë? Sa muslimanë me emra janë udhëzuar në duart tuaja?

Prandaj, ju ftoj që të ngrihemi e të punojmë pa ndrojtje, pa paragjykime! Ndarja nga njerëzit është e lehtë, por ne duam të afrohemi e të bashkohemi me ta, t’u përcjellim Fjalën e Zotit, Islamin!” – ka porositur Myftiu.