“A thua vallë, u zhduk halifati nga gjithësia?!”

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të botëve, Krijuesit të universit e galaktikave, Furnizuesit të krejt krijesave pa lodhje e mund, Mëshiruesit, Falësit, Udhëzuesit, Bujarit, të Plotfuqishmit, që na urdhëron në Kur’anin Famëlartë: “Dhe kapuni që të gjithë për litarin  e All-llahut (fenë dhe Kur’anin), e mos u përçani! Përkujtojeni mirësinë e All-llahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar, e Ai i bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij u bëtë vëllezër. Madje ishit në buzë të greminës së xhehnemit, e Ai ju shpëtoi prej tij. Po kështu All-llahu ua sqaron juve argumentet e veta që ju ta gjeni të vërtetën e lumtur.”[1]

Salavatet dhe përshëndetjet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë e në çdo ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), që u dërgua mëshirë e udhëzim për gjithësinë. Udhëzon dhe thotë: “Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi, as e lë në baltë. Ai që e ndihmon vëllanë e tij, All-llahu do ta ndihmojë! Ai që ia largon muslimanit një vështirësi, All-llahu do t’ia largojë një nga vështirësitë e ditës së kiametit! Dhe, kushdo që e mbulon një musliman, All-llahu do ta mbulojë në ditën e kiametit”[2]

Të dashur e të nderuar vëllezër muslimanë,

Sa bukur tingëllon kjo shprehje: “vëllezër muslimanë”! Dashje pa dashje, të dhuron ngrohtësi dhe ndjenjën e familjes së madhe të besimit, ku të gjithë janë pjestarë të barabartë, që e duan dhe e përkrahin njëri-tjetrin, nuk i bëjnë padrejtësi e shkelje njëri-tjetrit, nuk e lënë në baltë e nuk e presin në besë njëri-tjetrin! Mendojnë për tjetrin njësoj si për veten e tyre, duan për tjetrin atë që duan edhe për veten e tyre!

A ka mirësi më të madhe sesa të të dhurojë All-llahu ndjesinë e konsiderimit të tjetrit, njësoj si veten tënde, a edhe më shumë, pa paragjykime, pa hile, pa thashetheme, pa dredhime, pa pusi, pa smirë, pa zili, pa xhelozi e pa inate!

A ka mirësi më të madhe, sesa të të dhurohet ndjesia e lidhjes me një person a një shumësi personash, vetëm për hatër të All-llahut, për dashninë e Tij, për moralin e besimit, për udhëzimin e Kur’anit, për Traditat e Hz. Muhammedit (a.s)!

A ka mirësi më të madhe sesa ta ndihmosh vëllanë tënd, t’ia mbulosh një të metë, mos ta përgojosh, mos ta injorosh, mos ta lësh në baltë kur ke mundësi e forcë ta ndihmosh e t’i japësh dorën?

Unë ju ftoj të hidhni sytë përreth dhe të shihni sesi të tjerët e mbajnë njëri-tjetrin, e ndihmojnë njëri-tjetrin, nuk heqin dorë nga interesat e ngushta të tyre! Shpikin e trillojnë, mashtrojnë e tjetërsojnë, si e si të dominojnë e të mbrohet interesi i tyre!

Ku janë muslimanët, sot? Ku është shpirti i lidhjes dhe vëllazërisë së shenjtë islame, sot? Ku janë burrat muslimanë, sot? Ku është shpirti i solidarizimit dhe mbështetjes në mesin tone, sot?

A dëshmon realiteti I marrëdhënieve tona të sotme, vërtetësinë e ajetit kur’anor: “Më kujtoni Mua (me adhurime), Unë ju kujtoj juve (me shpërblim). Më falënderoni e mos më mohoni”[3]?

A mund të lexohet në veprimet tona të përditshme vërtetësia e ajetit kur’anor: [Zoti juaj ka thënë: “Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem”][4]?

Lexoni me vëmendje historinë islame. Hidhni sytë në detajet dhe imtësitë e ndodhive. Do të gjeni mrekulli dhe begati, sidomos kur bëhet fjalë për lidhjen e muslimanëve në mes vete, tamam si në ajetin kur’anor që lexova më sipër!

“I pa të metë është Ai, që i bashkoi zemrat dhe njësoi racat, ngjyrat, gjuhët dhe zakonet! Bashkoi Bilalin Habeshiun (etiopian) me Suhejb Rumiun (romak) me Selman Farisiun (pers) me Aliun (arab, kurejshit), në një njësi, unitet dhe lidhje vëllazërore, që nuk njihej më parë në histori!”[5] Vëllazëria e tyre u bë dëshmi deri në ditën e gjykimit, për mbarë njerëzimin!

Pse nuk e lexojmë historinë, për të parë sesi shpirti i vëllazërisë dhe unitetit në mesin e muslimanëve është dëshmuar me gisht, si vlerë qytetëruese dhe tipar prej tipareve të një civilizimi të pashembullt në historinë e njerëzimit?

Të nderuar e të dashur vëllezër muslimanë,

Në hadithin e saktë, të transmetuar nga Ebu Hurejra (r.a), mësojmë rregullat dhe shtyllat e qëndrueshmërisë dhe madhështisë së vëllazërisë së shenjtë islame në mesin e muslimanëve. Dëgjoni se çfarë thotë Resulull-llahu (a.s): “Mos ia kini zili njëri-tjetrit, mos mashtroni në shitblerje, mos u urreni në mes vete, mos komplotoni kundër njëri-tjetrit, mos të shesë ndonjëri prej jush në dëm të tjetrit! Bëhuni o robër të All-llahut, vëllezër! Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi, nuk e poshtëron, nuk e nënçmon! Devotshmëria është këtu (dhe bëri me shenjë nga zemra, tri herë)! I mjafton e keqe njeriut, ta poshtërojë vëllanë e tij musliman! Muslimani është haram për muslimanin; gjaku i tij, pasuria e tij dhe nderi i tij!”[6]

A keni dëgjuar gjë më të bukur sesa ky hadith në kontekstet e kësaj teme? Çdo fjalë e tij është udhëzim më vete, mësim e shkollë më vete, prej ku, të gjithë ne jemi të ftuar të reflektojmë e të pendohemi për realitetin e sotëm.

Hidhni sytë e shihni përtej nesh në ymetin islam. Fatkeqësi pa fund, dhimbje pa fund, vrasje barbare, pa asnjë të drejtë, pushtime të tokave në emër të demokracisë, zhvatje e pronave në emër të administrimit, vjedhje e trashëgimisë kulturore historike shekullore, në emër të vlerësimit të relikteve në perëndim etj., etj., pa fund!?

Dje, është shënuar një datë e dhimbshme për ymetin islam, për cilindo prej nesh. Është shënuar 92 vjetori i zhbërjes së hilafetit tonë. 3 mars 1924, është një datë e dhimbshme për ne!

92 vjet nga rënia e halifit të fundit osman, Sulltan Abdulmexhidit, që “në realitet ishte vetëm një figurë që nuk kishte kurrfarë ndikimi në vendimarrje.”[7], ndonëse: “Ataturku lemeritej nga hidhërimi dhe nuk arrinte të duronte dot kur shihte ose dëgjonte se si njerëzit e donin dhe lidheshin fort me familjen osmane dhe hilafetin. Prandaj edhe ia ndaloi halifit daljen për në namaz… Më vonë Ataturku ftoi shoqatën themeluese në një mbledhje të jashtëzakonshme më 3 mars 1924… për anulimin e hilafetit, të cilin e quajti tumor të kohës mesjetare”[8] I ngrati ai!

Po, të dashur e të shtrenjtë vëllezër muslimanë,

92 vjet nga ajo ditë e errët e rënies së hilafetit, të cilën Ahmed Sheuki e vajton në këtë mënyrë:

“Këngët e dasmës janë kthyer në vajtim
Të rënkuan njerëzit në gëzim e dëfrim.
Natën e martesës të mbështollën me qefin
E të varrosën menjëherë në agim.

Për ty rënkuan xhamitë e minberet
Ty të qanë shtetet e vajtueset me rënkim.
India- e shqetësuar, Egjipti- i pikëlluar
Qanë për ty me lotë të kulluar.

Pyet Shami, Iraku e Persia
A thua vallë, u zhduk halifati nga gjithësia?!
Ah, o burra, vajzën gjallë në dhé e fundosën
Pa bërë ndonjë mëkat a gabim, e varrosën…”[9]

Prandaj, duhet të kthehemi me shpirt e me vepra nga feja e jonë, që të mos vazhdojmë të jetojmë si skllevër të nënshtruar, para duarve të së keqes që me tentakulat e saj ka mbuluar botën.

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
 
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e re të fshatit Mjedë.
Shkodër, më 4 mars 2016)


[1] Kur’ani, Ali Imran: 103.
[2] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi.
[3] Kur’ani, El-Bekare: 152.
[4] Kur’ani, Gafir: 60.
[5] Dr. Aid El-Karni, “El-misku vel-anber fi khutabil-minber”, botimi i parë, Egjipt, 2005, f. 443.
[6] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi.
[7] Dr. Muhamed Ali Salabi, “Perandoria Osmane”, Prishtinë, 2009, f. 501.
[8] Po aty, f. 502.
[9] Po aty, f. 502-502.