Mevludi Sherifë, Myftiu i ftuar në “Tonight”

Mbrëmjen e së martës, më 20 dhjetor 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ishte i ftuar në emisionin "Tonight", të gazetarit Erzen Koperaj, që u transmetua në Star Plus tv.

Gjatë bashkëbisedimit, Myftiu iu përgjigj pyetjeve të shumta, të fokusuara kryesisht te cikli zinxhir i aktiviteteve të larmishme të sivjetshme, nëpërmjet të cilave, Myftinia Shkodër lajmëroi përkujtimin e Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s).

Ndër të tjera, Myftiu theksoi se përkujtimi i sivjetshëm i Lindjes së Hz. Muhammedit (a.s), u perceptua ndryshe nga vitet e tjera, duke dashur të tërhiqet vëmendja e besimtarëve dhe qytetarëve të ndryshëm, pa dallim feje, drejt frymës dhe shpirtit që përcjell përkujtimi i kësaj ngjarjeje të begatë për mbarë botën.

Myftiu tha se larmia e këtyre aktiviteteve zinxhir, 14 ditore, është në të vërtetë hyrja e një sërë aktivitetesh dhe tubimesh, që do ta pasojnë këtë fazë të rëndësishme, në rrugën e prezantimit dhe përhapjes së mesazheve dhe mësimeve të Hz. Muhammedit (a.s), kudo në shoqëri.

Ai shpjegoi, se sot, është e domosdoshme ta nxjerrim Thirrjen Islame nga dyert e Xhamisë dhe ta përhapim kudo, sepse njeriu është i ftuar drejt Zotit, jo vetëm në namazin e tij, por në 24 orët e ditës; në punë, në familje, në shoqëri, në marrëdhëniet sociale, në fjalën e tij, virtytet etj.

Myftiu theksoi se duhet korrigjuar edhe perceptimi i fetarit e besimtarit në shoqëri. Ai tha se është e gabuar të thuhet se vetëm ata që falen janë fetarë. "Fetarë e besimtarë janë krejt ata, që besojnë All-llahun e Madhëruar dhe Hz. Muhammedin (a.s) si të dërguar të fundit dhe, që përpiqen ta dëshmojnë këtë shpirt besimi në të gjitha format e tij legjitime në jetën e tyre!", - tha, ndër të tjera.