Fjala e Myftiut në B.I “El-Hidaje”

Të dashur e të shtrenjtë vëllezërit e mi, Mirë se ju gjeta! Mirë se na mblodhi All-llahu i Madhëruar në këtë përvjetor jubilar të 25-të, të Bashkësisë Islame Shqiptare “El-Hidaje” në St. Gallen të Zvicrës, përvjetor që portretizon më së miri rrugëtimin tuaj fisnik drejt dëshmimit në jetën e përditshme të porosisë së shtrenjtë të Ma të Dashtunit e Ma të Shtrenjtit tonë, i Cili thoshte: “Përhapni për mua, qoftë edhe një fjalë!” Në këto 25 vite jetë të aktivitetit tuaj si bashkësi fetare islame, keni rrezatuar mirësi e paqe, harmoni e solidaritet, vlera besimi e humanizëm të dëshmuar edhe nga komshinjtë tuaj, të afërmit, autoritetet vendore e mbarë shoqëria! Prandaj, me zemër ju them: All-llahu jua shpërbleftë! Vëllezërit e mi, Sonte, falë All-llahut të Madhëruar, nën çatinë e kësaj ftese bujare të Bashkësisë Islame Shqiptare “El-Hidaje”, jemi mbledhur nga krejt cepat e trojeve tona etnike, për të dëshmuar bashkarisht se ky fé e madhnueshme islame, është në të vërtetë unifikuesi i rrugëtimeve tona, njësia matëse e suksesit dhe mbarëvajtjes së kontributeve dhe sakrificave tona në rrugën e lartësimit të vlerave tona fetare e kombëtare, si muslimanë të mirë, si shqiptarë të mirë, si banorë të mirë të kësaj Nane të madhe, që quhet Tokë! Kjo natë e madhe dëshmie, meriton të regjistrohet në mesin e atyre ditëve, për të cilat thuhet në Kur’anin Famëlartë: “Përkujtoju atyre për Ditët e All-llahut!” Brezat e ardhshëm do të kenë në shembullin e kësaj nate dhe simbolikës së saj, një dëshmi të madhe frymëzuese të përkushtimit të brezave, harmonisë dhe bashkëpunimit në mesin e shqiptarëve të mirë nga krejt trojet e tyre, në shërbim të fesë, besimit dhe perfeksionimit të vlerave tona të harmonisë tonë islame dhe asaj kombëtare! Sonte, Bashkësia Islame Shqiptare “El-Hidaje”, po gdhend emrin e saj me shkronja të arta në murin e krenarisë sonë legjitime, duke u kthyer më fuqimisht se kurrë në personifikimin e vetë emrit të saj të madh: “El-Hidaje” – “Udhëzimi”! Njëkohësisht, me këtë bagazh prej 25 vitesh aktivitete të larmishme e plot dritë udhëzimi, Bashkësia e juaj kthehet në një kible të natyrshme të kujtdo që kërkon udhëzimin, dritën e të vërtetave islame, traditat e bukura shekullore dhe frymën tradicionale të Islamit shekullor në trojet tona shqiptare! Të dashur të pranishëm, Gjatë këtyre ditëve kam menduar shumë herë rreth detajeve të kësaj ligjërate, për vetë përgjegjësinë e madhe që ka dalja para jush, eminencave të tyre kryetarëve të bashkësive tona islame, imamëve të nderuar dhe studiuesve të afirmuar islamë të këtyre nahive, për emrin e nderuar të Bashkësisë Islame “El-Hidaje”, për pozitën elitare të shqiptarëve muslimanë në mërgatë, për mesazhet që ia vlen të ndahen e të përhapen në këtë përvjetor të shënuar jubilar. “El-Hidaje”, është një emër që na tërheq drejt njërit prej 99 emrave të bukur të All-llahut të Madhëruar, i Cili është “El-Hadi”: Ai që jep dhe dhuron Udhëzimin. Në Kur’anin Famëlartë lajmëron botërisht, se: “All-llahu thërret për në (Darus-Selam) xhennet, dhe atë që do, e udhëzon në rrugë të drejtë”. “Kjo do të thotë se, All-llahu të ka krijuar për ta dhuruar lumturinë! … Ai që e do udhëzimin, All-llahu do ta udhëzojë drejt një rruge që shpie në Darus-Selam, sepse ti je krijuar për Darus-Selam dhe Darus-Selami është Xhenneti, ndërsa ti je i lirë në përzgjedhjen tënde! Pra, nëse e përzgjedh Darus-Selamin, All-llahu do të udhëzojë ty në rrugën e drejtë që shpie në Darus-Selam!” Nëpërmjet këtij ajeti, para nesh shfaqen mrekullisht tre elementë themelorë që lidhen me identitetin e muslimanit dhe marrëdhënien e tij të përhershme me veten, me Zotin dhe me tjetrin: Paqja – Udhëzimi – Rruga e drejtë! Në këtë kontekst, ky 25 vjetor i Bashkësisë Islame Shqiptare “El-Hidaje”, duket se trupëzon më së miri në një, këto tre element të rëndësishëm për jetën e secilit, nëpërmjet aktivitetit dhe rrugëtimeve solide të veprimtarisë tuaj, duke e bërë emrin e madh “El-Hidaje”, burim sigurie, kredo besimi, shembull harmonie komunitare dhe thirrjeje drejt rrugëve të besimit, vlerave qytetëruese islame dhe dialogut ndërkomunitar në realitetet e shtetit helvetian, ku ju jetoni dhe veproni, të nderuar e të respektuar! Sepse, ka shumë rëndësi, që përtej tubimeve të përditshme, të përjavshme, të përmuajshme e të përvitshme, xhamia dhe secili individ i saj, të dëshmojë vullnetin e madh të hapjes ndaj të tjerëve dhe dëshirën e mire për tëmbjellur në shoqëri fidanet e besimit dhe bekimet që ai sjell për individin, shoqërinë, jetën! ... Sot, ka shumë njerëz, që vrapojnë pas interesave të ngushta materialiste. Nuk kanë gëzim në shpirt, nuk kanë paqe në zemër, nuk u ka shije asgjë nga begatitë e kësaj bote, janë të mbuluar nga stresi, lodhja, dëshpërimi! Dhe, kjo është një e vërtetë e madhe, që nuk e them unë, e thonë studimet objektive të studiuesve perëndimorë, të aftë e objektivë, të psikologjisë dhe sociologjisë. Ndërsa ju, përtej lodhjes, mundit e sakrificës në këtë vend, që ju ka mirëpritur e ju ka krijuar mundësitë e ndërtimit të jetës e vlerave komunitare, jeni aty, në pragun e sexhdes, në dyert e lutjes, në pritje të bekimeve të sabahut drejtuar nga kibla e xhamisë tuaj! Jeni aty, në një hytbe plot urtësi, në një bashkëbisedim plot sinqeritet, në një kafe vëllazërore e në një mexhlis dijeje, me imamin tuaj të dashur e fisnik, shërbestarin e palodhur, punëtorin e dalluar, Hafiz Mehas ef. Alija! Jeni aty, në tubimet e shpirtit dhe të meditimit rreth mrekullive të krijimit, rreth madhështisë së besimit e dritës së zemrave, në ligjëratat frymëzuese, të mbushura me pathos dhe prekje dorëzimi, që e zbukurojnë edhe gjuhën tonë të shtrenjtë shqipe, nga i dashtuni i zemrave, Hoxha Ahmed ef. Mehmedi! ... Të shtrenjtë e të dashur, Përkthyesi i shquar i Kur’anit në gjuhën angleze, Marmaduke William Pickthall (1875-1936), thoshte: “Muslimanët mund ta përhapin civilizimin e tyre me të njëjtën shpejtësi që e përhapën edhe më parë, nëse do të kthehen tek morali që posedonin herën e parë. Sepse kjo botë boshe nuk mund të qëndrojë përpara civilizimit të tyre”. Ne nuk jemi në luftë me botën! Ne nuk jemi në luftë me Njeriun, kushdo qoftë ai! Ne, si muslimanë jemi të ftuar të përhapim shembullin tonë, mbështetur në modelin e Resulull-llahut (a.s), për ta nxjerrë njeriun nga errësira në dritë, nga padija në dije, nga shthurrja morale në alternativat e moralit, nga thatësia e zemrës në gjallërimin e shpirtit me përmendjen e All-llahut dhe mbikqyrjen e Tij në çdo moment të jetës, duke mos e konsideruar veten më të mirë se tjetri! Sepse marrëdhënia e jonë esenciale është arritja e pëlqimit të Krijuesit, jo fitimi i vlerësimeve të krijesave të Tij! Sepse ne muslimanët jemi të mëkuar nga porositë dhe urdhëresat e shumta kur’anore dhe ato të Hz. Muhammedit (a.s), që la edhe këtë amanet: “Vlera e besimtarit tek All-llahu është më e madhe se shkatërrimi i krejt botës!" Pra, ne jemi ndërtues të jetës, mbrojtës të vlerave, dorë për dore me këdo që ka një vullnet të mirë, që këtë botë kalimtare ta zbukurojë e t’i japë shkëlqimin e të jetuarit në harmoni e paqe me njëri-tjetrin, duke e parë diversitetin si një mundësi për të respektuar veten dhe për t’u kapur fort pas shenjtërive dhe thirrjeve të shpirtit, të udhëzuar drejt “Darus-Selamit”! All-llahu ju dashtë e ju begatoftë!

Imam Muhamed B. Sytari Myfti i Zonës Shkodër

St. Gallen, më 4 mars 2017 (Pjesë nga fjalimi me rastin e ceremonisë së përvjetorit të 25-të jubilar të Bashkësisë Islame “El-Hidaje”, St. Gallen, Zvicër)