Myftiu: “Të zhvillojmë një tubim lutjeje, për shërimin e islamofobëve në trojet shqiptare!”

Ditën e shtunë, më 15 prill 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune me një grup imamësh, me të cilët diskutoi rreth disa tematikave, që sillen rreth aktivitetit të Myftinisë Shkodër dhe domosdoshmërisë së rritjes së cilësisë së tij.

Ndër të tjera, Myftiu u ndal tek disa pika, ku veçohet:

1. Domosdoshmëria e ruajtjes së vlerave të harmonisë në komunitet dhe distancimi total nga çdo tendencë për të keqinterpretuar a keqlexuar tekstet fetare, si dhe për të mbjellur përçarje në mesin e besimtarëve, duke shërbyer me shumë përkushtim në rrugën e përhapjes së vlerave të edukimit islam, me dije, urtësi e durim.

2. Përgatitjet për muajin Ramazan, duke nisur me shtimin e tubimeve pas namazeve ditore, kryesisht: pas namazit të sabahut dhe atij të akshamit, por edhe pas namazeve të tjera ditore, sipas mundësisë dhe dakortësisë me xhematin.

3. Përgatitja për zhvillimin e bashkëbisedimeve me rininë, sidomos në atmosferën e Tre Muajve të Mirë, ku është e dobishme të diskutohen tema të tilla, si: Rëndësia e namazit në jetën e besimtarit, Shfrytëzimi i Muajve të Mirë për shtimin e dhikreve, salavateve, hatmeve të Kur’anit, lutjeve në bashkësi, Angazhimi për ta nxjerrë frymën e këtyre Muajve të Mirë, përtej mureve të xhamisë, nëpërmjet vizitave, afrimin e rinisë dhe fëmijëve, agjërimet e përbashkëta, ekskursioneve në natyrë etj.

4. Çlirimi nga krejt paranojat e kujtdo, që na ngatërron ne muslimanëve, xhamitë tona, simbolet tona fetare, aktivitetet tona, kërkesat tona legjitime, veprimtarinë tonë dhe kontributet e vazhdueshme për ruajtjen e ekuilibrave të harmonisë komunitare, me terma e shpifje të padenja për këtë tubim vlerash; terma e shpifje që ia kthejmë mbrapsht kujtdo, me plot të drejtë dhe me shumë përbuzje ndaj nivelit të lartë të injorancës dhe meskinitetit!.

Në këtë pikë, Myftiu theksoi se: "Nuk është utopike, që në një ditë të caktuar, të zhvillojmë një tubim lutjeje Zotit, për shërimin e islamofobëve në trojet shqiptare, si dhe të nënshkruhet një peticion drejtuar institucioneve zyrtare të vendit dhe mediave, që të mos lejohet ky vulgaritet mjeran, që ka përfshirë deri parlamentin dhe ministri të ndryshme, prej ku persona të papërgjegjshëm të veshur me pushtet të përkohshëm, përhapin vnerin e islamofobisë dhe osmanofobisë në realitetet shqiptare!"

U lajmërua gjithashtu edhe për konkursin e madh vjetor me nxënësit e kurseve të xhamive të Shkodrës, sipas udhëzimeve të përgjegjësit te arsimit.