Fshati i Ri, u përurua minarja e xhamisë

Pasditën e së dielës, më 21 maj 2017, Myftinia Shkodër organizoi një ceremoni fetare me rastin e përfundimit të minares së xhamisë Fshati i Ri.

Me këtë rast, në fjalën e tij, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari vuri theksin tek ajeti kur’anor: “Dhe, kushdo që madhëron simbolikat fetare dëshmon përkushtimin e zemrës”.

Myftiu tha se minarja, xhamia, hixhabi, Dita e Bajramit, namazi etj, janë simbolika të shtrenjta të fesë, respektimi i të cilave dëshmon përkushtimin e zemrave.

Ai tha se ata që nuk të respektojnë simbolikat fetare, nuk të respektojnë as si njeri! Prandaj, duhet të kapemi fort pas vlerave tona dhe të mos tolerojmë mosrepektimin e tyre!

Myftiu falënderoi edhe motrën e nderuar që bëri donacion nga pasuria e saj për ndërtimin e minares së bukur të kësaj xhamie.

Përshëndeti edhe Myftiu i Malësisë, H. Edmir Smajlaj, i cili vlerësoi këtë tubim si dhe krejt ceremonitë e inaugurimeve të xhamive dhe qendrave islame, që dëshmojnë për besimin dhe vullnetin e masave për t’u afruar me vlerat islame në zonën tonë.

Aktiviteti vijoi me dy ligjërata të dobishme të mbajtura nga teologët e nderuar, Adem Puzga dhe Ruzhdi Plangaj, të cilët hodhën dritë mbi vlerat e agjërimit të Ramazanit dhe mirësitë me të cilat rrethohet ymmeti islam në këtë periudhë.

Në mbyllje të ceremonisë, imami i xhamisë Fshati i Ri, Indrit Plangaj, falënderoi kontribuesen për minaren e xhamisë, si dhe vëllezërit e angazhuar për rrethimin dhe mirëmbajtjen e saj në vazhdimësi.