“Ramazani, muaji i durimit dhe i përkushtimit”

Paraditën e sotme, më 1 qershor 2017, Myftinia Shkodër në bashkëpunim me Medresenë “Haxhi Sheh Shamia” organizuan në xhaminë e Medresesë, tribunën fetare me temë: “Ramazani, muaji i durimit dhe i përkushtimit”.

Hapjen e këtij aktiviteti e bëri teologu Arben Halluni, i cili në emër të Myftinisë Shkodër uroi nxënësit e Medresesë agjërim të mbarë dhe të pranuar tek Allahu (xh.sh). Ndër të tjera, ai tha se: Aktiviteti i sotëm është vazhdim i karvanit të aktiviteteve, të cilat Myftinia Shkodër ka filluar t’i organizojë që para fillimit të Ramazanit dhe do të vazhdojë me aktivitete të larmishme edhe gjatë këtij muaji të begatë. Qëllimi i këtyre aktiviteteve është sensibilizimi dhe përkujtimi i besimtarëve, në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë prej mirësive dhe begative të muajit të madhërueshëm të Ramazanti.

Aktivitetin e përshëndeti edhe z. Kujtimi Dervishi, drejtor i Medresesë, ku ndër të tjera theksoi rëndësinë që kanë aktivitetet me nxënësit, sidomos gjatë muajit të begatë të Ramazanit. Ai i uroi nxënësve mbarësi dhe suksese në mësime dhe maturantëve provime të mbara.

Pastaj tribuna fetare vazhdoi me ligjëratat e mbajtura nga Lavdrim Hamja, imam i xhamisë së “Dy Vajzave”, i cili mbajti temën “Ramazani, muaji i përkushtimit”. Në temën e tij, imami u ndalë te qëllimi i agjërimit , që është përkushtimi dhe përmirësimi i gjendjes shpirtërore dhe morale të besimtarit. Ai theksoi, se ky muaj i begatë duhet të shfrytëzohet maksimalisht për adhurime dhe vepra të mira, në mënyrë që të arrihet përkushtimi, të cilin Zoti i Madhëruar e bërë shkak të agjërimit.

Ndërsa, Naim Drijaj, imam i xhamisë së Parrucës mbajti temën “Ramazani, muaji i durimit”. Ai u ndal te kjo cilësi e lartë, që nuk ka të krahasuar me të. Gjatë ligjëratës së tij, ai solli argumente dhe shembuj, të cilët bëjnë të qartë, se durimi është në virtyt i bukur dhe të cilin e do Allahu (xh.sh). Gjithashtu imami, tregoi se durimi ndahet në disa pjesë, si durimi në adhurim, durimi ndaj gjynahut, durimi në sprova etj.

Pas tribunës fetare, u bë edhe falja e namazit të drekës me xhemat.